Demokracia në Veprim ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me ecurinë e fushatës zgjedhore për tri ditët e para.
Përfaqësuesit e Demokracia në Veprim (DnV) thanë se atmosfera e fushatës zgjedhor deri më tani është e qetë, derisa kanë bërë të ditur edhe shpenzimet e partive politike në tri ditët e para të fushatës.
Përfaqësuesi i DnV, Artan Murati, tha se deri më tani janë realizuar 217 aktivitete nga të gjitha subjektet politike, ku sipas tij Partia Demokratike e Kosovës (PDK), prinë me gjithsej 70 tubime.
Ai theksoi se partitë politike kanë filluar të mos e respektojnë obligimin e tyre për të mos i lajmëruar aktivitete në KZK, ku sipas legjislacionit në fuqi të gjitha aktivitetet politike duhet të lajmërohen 24 orë më herët.
Duke folur për rëndësinë që ka kuota gjinore , Murati theksoi se numri i grave pjesëmarrëse në aktivitete elektorale është i vogël. Po ashtu ai theksoi se deri më tani janë dorëzuar 6 ankesa në Panelin për Ankesa dhe Parashtesa PZAP nga ana e DnV , ku deri më tani kanë pranuar përgjigje pozitive për tri ankesa.
Mexhide Demolli-Namani nga DnV, foli edhe për shpenzimet të cilat po i bëjnë subjektet partiake për t’i mbuluar aktivitetet e tyre elektorale. Sipas saj, shuma totale e shpenzimeve për këto tri ditë fushate zgjedhore arrin në 1 milion e 64 mijë euro.
Ndërsa Murati shtoi se kanë vërejtur edhe fenomene negative nga subjektet politike, siç janë shfrytëzimi i veturave zyrtare për fushatë, përdorimi i shërbyesve civilë. Ai theksoi se këto fenomene po ndodhin në komunat ku partitë politike udhëheqin me atë komunë.