Në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës gjatë gjithë natës, ka patur të vrarë dhe të plagosur.
Forcat izraelite vazhdojnë sulmet e tyre në Gaza në ditën e 182-të, ku shkaktuan katastrofë të madhe humanitare duke i detyruar njerëzit të mbeten të uritur dhe të etur, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, ka të vrarë dhe të plagosur në sulmet e kryera nga njësitë e artilerisë izraelite në qytetet Khan Younis dhe Rafah të Rripit të Gazës.
Derisa avionët luftarakë izraelitë bombarduan rëndë rajonin Sheikh Zayed në veri të Rripit të Gazës, pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit të Gazës iu nënshtruan bombardimeve të artilerisë izraelite.
Në sulmet e ushtrisë izraelite nga ajri dhe toka gjatë gjithë natës në pika të ndryshme të Rripit të Gazës u vranë dhe u plagosën shumë njerëz, kryesisht fëmijë dhe gra.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, 33.037 palestinezë, përfshirë të paktën 14.500 fëmijë dhe 9.560 gra, u vranë dhe 75.668 persona u plagosën.
Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.