Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike
Kampanja parazgjedhore e vitit 2016 e kandidatit për president të SHBA-ve nga Partia e Republikanëve Donald Trump, është një argument për qëndrimet anti-globaliste të liderëve të shteteve më të fuqishme të botës, dhe për atë se qëndrimet sa i takon këtij fenomeni janë të ndryshme. Në një analizë që ka bërë BBC, pesë pikat kryesore të kampanjës së Trump kanë një qasje anti-globalizuese dhe në pamje të parë duken se janë kundër sistemit të tregtisë së lirë. Gjatë fjalimeve të tij ai ka sugjeruar që SHBA-të të largohen nga OBT-ja, si dhe do të favorizojë taksat e larta të importit deri në 45% për mallrat e importuara nga Kina, kurse 35% për ato që importohen nga Meksika. Sa u takon kompanive shumëkombëshe, ai gjatë kampanjës së tij ka premtuar që do të ndalojë emigrimin e kompanive amerikane në vende ku prodhojnë me një kosto të ulët të prodhimit. Gjithashtu edhe qëndrimi i tij për NATO-n, si një organizatë të cilës i ka kaluar moda, me pretendimin që Amerika nuk mund të përballojë koston e mbrojtjes së aleatëve të saj në Evropë dhe Azi pa u kompensuar, është një qëndrim tjetër anti-globalist. Duhet theksuar edhe ajo që gjatë mandatit të tij 4 vjeçar si presidenti i 45-të i SHBA-ve, me moton e tij “Make America Great Again”, ka vepruar me qëndrime anti-globaliste, duke u fokusuar kryesisht në rritjen e mirëqenies dhe standardit jetësor brenda SHBA-ve, si dhe duke bërë një farë “tërheqje” nga roli i gardianit të botës, taktikë kjo që ishte motoja dhe veprimi i presidentëve të mëparshëm. Gjithashtu edhe deklarata e tij që “OBSH-ja ka dështuar në zbatimin e reformave” dhe akuza që i bëri për “keqmenaxhim” në krizën e COVID-19, duke mbajtur njëanshmëri në favor të Kinës, poashtu përbën një veprim anti-globalizues nga ana e tij. SHBA-të ka qenë deri më tani kontribuesi më i madh i OBSH. Sipas Trump shifrat e pagesave amerikane janë afër 450 milionë dollarë në vit. Kontributi i detyruar për vitet 2020 dhe 2021, kap shifrën e 116 milionë dollarëve. Kontributi i Kinës për këtë periudhë arrin vetëm 57 milionë dollarë. Deklarata e tij ngjalli debate nëse SHBA-të do të largoheshin formalisht nga OBSH-ja, si rezultat i asaj që pagesat amerikane kundrejt kësaj organizate janë në shumë më të mëdha, në krahasim me disa shtete të tjera të botës.
Mahathir Muhammed, ish kryeministër i Malajzisë, njihet për qëndrimet e tij kundër valës aktuale të globalizimit, ku sipas tij të gjithë të arriturat e përbashkëta të popujve dhe shteteve janë duke i shfrytëzuar një numër i caktuar i njerëzve. Sipas tij, është koha për një globalizim të ri që më pak vepron në shërbim të të pasurve, ndërsa shumë më tepër në shërbim të atyre që janë tepër të varfër, që zhvillimi të jetë në vetë qendrën e planit global si qëllim themelor. Ai kritikon situatën aktuale në të cilën gjenden shtetet e botës, duke rekomanduar ndryshime në aspekt të shpërndarjes së pasurisë botërore. Ai “ardhjen” e globalizimit në shtetin e tij nuk e quan aspak gëzim dhe është për të mbrojtur ekonominë kombëtare kundër ideologjive dhe sloganeve perëndimore. Ai gjithashtu shprehet skeptik sa u takon institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare të karakterit financiar dhe ekonomik. Sipas tij, rekomandimet dhe politikat të cilat ofrohen nga ana e FMN-së, janë shkurtpamëse dhe nuk janë praktike në të gjitha ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës. Këtë shpërndarje jo të drejtë të pasurisë e argumenton edhe me shifra Joshua Goldstein, i cili thotë që në pjesën Veriore të globit jetojnë më pak se 25%, por që kjo popullsi është duke shfrytëzuar 60% të të mirave dhe shërbimeve të cilat ofrohen. Pjesa më e madhe e popullsisë e cila gjendet në pjesën Jugore të globit, shfrytëzon jo më shumë se 40% të pasurisë botërore.
Edhe pse thuhet që ekonomistët janë pro-globalistë, mendimtarë të shquar të kohës moderne kanë dhënë vërejtjet e tyre në aspekt të funksionimit të këtij procesi. Joseph E. Stiglitz shprehet i zhgënjyer nga globalizimi, nga vetë fakti që shtetet dhe institucionet ndërkombëtare, jo vetëm që nuk kanë arritur të zvogëlojnë normën e varfërisë, por që kanë krijuar edhe një jostabilitet botëror. Ai gjithashtu mbron idenë e atyre që akuzojnë shtetet perëndimore për hipokrizi, pasi që këto shtete i shtyjnë shtetet në zhvillim të eliminojnë barrierat tregtare nga njëra anë, kurse nga ana tjetër aplikojnë taksat doganore në eksportet e prodhimeve bujqësore, të cilat vijnë nga ana e vendeve në zhvillim. Sipas tij globalizimi jo vetëm që ka dështuar në aspekt të liberalizimit të tregtisë, por edhe në aspekt të investimeve dhe projekteve të cilat bëhen me rekomandim të Perëndimit, të dizajnuar nga këshilltarë perëndimor dhe të financuar nga Banka Botërore. Edhe pse këto projekte kanë dështuar, borxhi që kanë ndaj bankave botërore është aktiv dhe njerëzit e varfër të vendeve në zhvillim duhet ta paguajnë atë.
Pesë shqetësimet sa i takon globalizimit ekonomik sipas Stiglitz janë:
- Rregullat e lojës që qeverisin globalizimin janë të padrejta, të projektuara veçanërisht për të përfituar shtetet e industrializuara. Shumë ndryshime që kanë ndodhur janë aq të padrejta, sa që shumë vende të varfëra i kanë zhytur edhe më tepër në varfëri;
- Globalizimi u jep vlerave materiale më shumë rëndësi se sa vlerave të tjera, siç janë shqetësimi për mjedisin apo për vetë jetën;
- Mënyra se si ka qenë i menaxhuar globalizimi, ka hequr sovranitetin e vendeve në zhvillim dhe aftësitë e tyre për të marrur vendime për veten e tyre për çështje kyçe. Në një farë mënyre ka dobësuar demokracinë;
- Përderisa avokatët e globalizimit pretendojnë që të gjithë përfitojnë ekonomikisht, ekzistojnë të dhëna që edhe në vendet e zhvilluara, por edhe në ato në zhvillim, ka shumë nga ata që humbin; si dhe
- Sistemi ekonomik që u është imponuar shteteve në zhvillim, në disa raste ka qenë i papërshtatshëm dhe i dëmshëm. Globalizimi nuk duhet që të nënkuptojë amerikanizim i ekonomive dhe kulturës të të tjerëve, pasi që kjo sjell pakënaqësi.
Shumë mendimtarë të tjerë japin një qasje ndryshe të globalizimit ekonomik dhe liberalizimit të tregtisë. Sipas Irwin , edhe pse pasojat e tregtisë së lirë, edhe krijojnë vende të reja të punës, edhe pushojnë punëtorë, duhet marrur në përgjithësi se cili është efekti. Të mundohesh të japish një shifër numerike në lidhje me punësimet në këtë aspekt, është diçka e kotë, pasi që ndikimi i tregtisë në numrin total të punësimeve në nivel botëror është i barabartë me zero. Pra, sipas autorit në fjalë, globalizimi as nuk hap vende pune, por as nuk shkurton.
Nëse marrim parasysh argumentet pro-globalizimit dhe anti-globalizimit, mund që të themi se globalizimi ekonomik dhe liberalizimi i tregtisë ndërkombëtare ka anët e ”forta“ dhe anët e “dobëta”. Përderisa mbështetësit e globalizimit propagandojnë për tregti të lirë mes vendeve të botës, me arsyetimin që kjo rrit mirëqenien ekonomike dhe sociale, duke përmbushur nevojat dhe dëshirat e secilit, kundërshtarët e tyre sjellin argumente që nga tregtia e lirë përfitojnë vetëm se vendet e zhvilluara në kurriz të vendeve të varfëra dhe atyre në zhvillim. Pro-globalistët trumbetojnë që hapen vende të reja të punës, norma e papunësisë në nivel botëror është në rënie e sipër, pagat janë duke u rritur, si dhe atë që mundësitë e punësimit janë shumë më të mëdha se më parë, pjesëtarët e vendeve të varfëra dhe atyre në zhvillim flasin për një shfrytëzim të fuqisë punëtore, duke shkelur të drejtat e tyre, me paga minimale dhe duke shfrytëzuar edhe fëmijët.
Pro-globalistët nëpërmjet globalizimit synojnë të japin një pamje të një bote paqësore, ku sundon siguria dhe stabiliteti ndërkombëtar, anti-globalistët pikërisht këtë proces e shohin si kërcënim pasi që amerikanizimi është duke tentuar që të gjithë botën ta bëjë të njëjtë, duke shkelur diferencat kulturore dhe qasjet e ndryshme të shteteve sa i takon politikëbërjes dhe ekonomisë. Avokatët e globalizimit organizatat ndërkombëtare i shohin si institucionet në të cilat duhet pasur besimin dhe rregullat që dalin nga ato duhet të respektohen nga të gjithë, anti-globalistët, FMN-në, Bankën Botërore, OBT-në, si dhe organizata e tjera, sidomos ato të karakterit ekonomik i shohin si imponues të politikave të papërshtatshme ekonomike dhe financiare, që në periudhë afatgjate shkaktojnë kriza dhe destabilitet financiar. Sipas anti-globalistëve këta organizata, nga njëra anë të ndihmojnë nëpërmjet kredive financiare për të realizuar projekte dhe investime, kurse nga ana tjetër vendosin rregulla të atilla që për vendet në zhvillim janë të papërshtatshme, saqë mund të çojnë në dështim të planeve, kurse borxhet duhet që të kthehen në afatet e parashikuara. Rregullat dhe parimet e OBT-së sa i takon liberalizimit të tregtisë, pro-globalistët i shohin si një mundësi që të gjitha shtetet të jenë pjesë e arenës ndërkombëtare, ku të gjithë mund të fitojnë, kundërshtarët e globalizimit i shohin si mekanizma me të cilat përfitojnë ekonomitë e zhvilluara, ndërsa vendet e tjera humbin më tepër sesa fitojnë. Këto janë argumentet e të dy palëve. Realiteti është që globalizimi ekonomik dhe liberalizimi i tregtisë ndërkombëtare ka sjellë të “mirat” dhe të “këqijat”. Nëpërmjet marrëveshjeve tregtare dhe tregtisë së lirë, shtetet këmbejnë praktikat, mallrat dhe shërbimet e tyre, ku të gjitha shtetet në kufijtë e tyre mund të blejnë dhe shfrytëzojnë atë që dëshirojnë. Por, nga ana tjetër diku 1.5 miliardë njerëz të cilët janë të vendosur në Afrikë dhe pjesë të Azisë, jetojnë në kushte të mjerueshme, në mungesë të vendbanimeve, shkollimit, shëndetësisë dhe ushqimit.