Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se sulmi ushtarak në Ukrainë vuri në rrezik jetë të panumërta.
Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 102 civilë humbën jetën në Ukrainë gjatë luftës Rusi-Ukrainë, 304 civilë u plagosën dhe 422 mijë refugjatë kaluan në vendet fqinje pas sulmeve, shkruan AA.
Në zyrën e OKB-së në Gjenevë në Zvicër filloi seanca e 49-të e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Duke folur në hapjen e seancës, Michelle Bachelet, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se sulmi ushtarak në Ukrainë vuri në rrezik jetë të panumërta.
“Midis mëngjesit të së enjtes dhe natës së kaluar, zyra jonë regjistroi 406 të prekur civilë, duke përfshirë 7 fëmijë, 102 të vdekur dhe 304 të plagosur. Shumë nga këta civilë u vranë nga armë shpërthyese me një gamë të gjerë efektesh, duke përfshirë artileri të rëndë dhe sisteme të shumta raketash dhe sulme ajrore. Kam frikë se shifrat reale janë shumë më të larta”, tha Bachelet, transmeton Fol Drejt.
Bachelet theksoi se miliona civilë, duke përfshirë njerëz të pambrojtur dhe të moshuar, janë të detyruar të mblidhen në metro dhe bunkerë për të shmangur sulmet.
Duke theksuar se zyra e Komisionerit të Lartë i OKB-së për Refugjatët raportoi se 422.000 civilë u larguan nga vendi dhe kërkuan strehim në vendet fqinje, dhe shumë të tjerë u zhvendosën brenda vendit, Bachelet tërhoqi vëmendjen ndaj thirrjeve për paqe dhe të drejtat e njeriut nga e gjithë bota.
“Nuk ka fitues dhe humbës këtu. Të gjithë jemi dobësuar nga konflikti,” tha Bachelet.
Nga ana tjetër, Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, tha në Twitter: “Deri më sot, më shumë se 500.000 refugjatë kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje”.
Seanca e 49-të e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të përfundojë më 1 prill./FolDrejt/