Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen e dokumenteve.
“Të jesh sot politikan, është e lehtë, burrështetas, pak ma ngadal. Vetëm burrështetasit i përballojnë fyerjet e linçimet, pa drojë për veprimet e veta largpamëse, kjo u pa dje, pas 11 vjetëve. 11 vjet zi e terr, për tri orë, u zbardh e vërteta”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Ai tutje në mënyrë indirekte ka kritikuar krerët e institucioneve.
”Më në fund, do të duhej ta kuptonin të gjithë të vonuarit në politikë se në çfarë pozite ishin pararendësit, udhëheqës të kësaj Republike, nga Rambujeja e këndej. Fati ynë, ishte e drejta jonë, me prijës guximtarë në orët më të rënda për Kosovën, me miq të dëshmuar dhe partneritet besnik”, ka shtuar Lladrovci.
Sipas tij këto marrëveshje teknike “janë barrikada të vogla para çështjes madhore, njohjes së ndërsjellë”, teksa ka thënë se pa praninë amerikane asnjë e drejtë e Kosovës nuk mund të realizohet.
”Pavarësisht qëndrimit meskin për çështjet madhore, disa politikanë më në fund do ta ndryshojnë narrativën politike, do të bëjnë marrëveshje me zëdhënësin e Millosheviqit, por nuk do të quhen tradhtar. Më e vlefshmja, pas luftës tonë çlirimtare, shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të GjND-së, do të jetë fitorja diplomatike me marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e varur nga prania aktive amerikane në proces. Pa amerikanë, asnjë e drejtë jona, nuk është e mundur të realizohet, as dje, as sot, as nesër”.
Krejt në fund, Lladrovci ka thënë se “të vetëkënaqurit me arritjen e djeshme, le ta ruajnë optimizmin për avancimin e shtetit tonë deri në fund”.
”Historia e Kosovës as ka filluar, as mbaron me këtë marrëveshje. Kosova është storje suksesi, Kosova është zemër!”, ka përfunduar kreu i komunës së Drenasit.