Trajneri i Manchester United, Eric ten Haag, ka thënë me rastin e kualifikimit në Ligën e Kampionëve, se Manchester United është kthyer aty ku i takon, por se duhet të forcohet për të qenë konkurrues në luftën për trofe.
United mposhti Chelsean mbrëmë në Old Trafford me rezultat 4:1 dhe siguroi një vend në Champions League, një xhiro para përfundimit të Premier League. Skuadra rikthehet në kompeticionin më elitar pasi luajti këtë sezon në Europa League, ku u eliminua në çerekfinale.
“Ky klub i përket Ligës së Kampionëve. Vendosja në mesin e katër skuadrave më të mira të kampionatit ishte synimi kryesor. Konkurrenca është e ashpër, ka shumë klube me ekipe shumë të mira, trajnerë të mirë dhe buxhete të mëdha. Ky është aktualisht maksimumi, por ne duam më shumë dhe nuk kam shumë durim. Manchester City po luan futboll të jashtëzakonshëm, por ne kemi ende shumë për të bërë”, tha Ten Haag, raportoi Sky.
United do të ketë shansin për të fituar një trofe deri në fund të sezonit, pasi luan në finalen e FA Cup kundër rivalëve të qytetit, kampionit Manchester City, më 3 qershor në Wembley.
“Ky është një bazë e mirë për t’u ndërtuar, por standardet dhe kërkesat duhet të jenë më të larta. Gjatë verës duhet të punojmë me këtë ekip, por duhet të forcohemi edhe në afatin kalimtar. Ne duam të konkurrojmë për titullin, por duhet të jetë realist. Tani jemi larg dhe kemi shumë punë për të bërë, por ne kemi nevojë për lojtarë më të mirë nëse duam të konkurrojmë në nivelin më të lartë”, tha Ten Haag, transmeton Fol Drejt.