Prej gjashtë vitesh liderët e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe zyrtarët qeveritarë vendosën nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë të madhe në shtetin më të ri të Ballkanit. Kjo do financohej nga Turqia, shkruan fillimisht media britanike “The Guardian”.
“Prishtina vërtet ka nevojë për një xhami të re – por autoritetet turke me investimet nëpër ndërtimin e xhamive kanë shfaqur disa shqetësime për banorët,” përcjell foldrejt.com, shkrimin e britanikes duke shkruar edhe për grafitet anti-turke që ndodhen pranë xhamisë si – “jo xhami turke ose do ketë gjak”.
Më tej media britanike shkruan se punimet për xhaminë e madhe do fillojnë në pranverë dhe ka pasur konteste rreth dizajnit të saj.
Kosova nuk është pa rëndësi të veçantë për politikën neo-osmane të qeverisë turke për shkak të Betejës së Kosovës në 1389, ku vendi do sundohej për rreth 500 vjet nga Perandoria Osmane.
“Në Europë nuk asnjë fshat pa kishë, por në Kosovë ka 50 fshatra pa asnjë xhami,” thotë myftiu Naim Tërnava. Gjatë Luftës së Kosovës janë shkatërruar 150 deri 200 xhami.
Shpesh ndodh që gjatë faljes së xhumasë shumë persona falen jashtë, për shkak se nuk ka vende brenda. Tërnava vijon të thotë se ndërtimi i xhamisë së re është vetëm për të “adhuruar Zotin dhe asgjë tjetër”.
Pse gjithë ky shqetësim për xhaminë e re?
Xhamia e Madhe në Prishtinë është aprovuar që nga koha e kryetarit të atëhershëm të Prishtinës, Isa Mustafa. Megjithatë vetëm këtë vit u dha leja për fillimin e punimeve. Kosova ka kaluar nëpër një debat të gjërë për formën e xhamisë dhe frikën e rritjes së ndikimit turk në vend.
Mes kundërshtarëve më të medhenj të xhamisë ishin arkitektët lokalë, të cilët ishin kategorikisht kundër ndërtimit të xhamisë me stil osman të zgjedhur nga Dijaneti turk.
Dijaneti thotë se xhamia e re do i ngjajë xhamisë së famshme Selimije të Edrenes, ndërtuar në shekullin e 16-të nga arkitekt Sinani.
Në anën tjetër, shumë muslimanë të Kosovës janë të shqetësuar duke thënë se kanë mungesë të hapësirës për t’u falur. Ata shohin standard të dyfishtë, ku katolikëve me vetëm tre përqind të popullësisë ju dhurua pa problem një katedrale e madhe në 2007, kurse ndryshe veprohet me komunitetin që përbën 95 përqind të popullësisë.
Në fund media britanike ka marrë deklaratë edhe nga profesori për studime islame në Universitetin e Prishtinës, Xhabir Hamitin.
“Aktorë të jashtëm kanë interes që ta kthejnë Kosovën në një konflikt më shumë fetar sesa politik – për shembull Miloshevic shfrytëzoi rolin e islamofobisë europiane dhe frikës nga ekstremizmi, për të deligjitimuar luftën tonë për pavarësi.”
“Populli pyet: pse vijnë investitorët perëndimorë këtu? A është kjo sepse ne jemi muslimanë? Kuptimi është se e vetmja derë e hapur te ne është ajo e Turqisë – dhe disa duan të ecin përmes saj.”/Foldrejt.com