Presidenti Hashim Thaçi, tha se arroganca e treguar në raport me BE-në, nuk i bën nder Kosovës. Ai në mënyrë indirekte kritikoi kryeministrin Haradinaj për “kokëfortësinë e tij” në raport me SHBA dhe BE.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “teket personale të asnjë lideri të shtetit nuk guxojnë të dëmtojnë interesin shtetëror të Kosovës dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë”. Të shtunën në një postim në profilin e tij në Facebook, presidenti (duke mos përmendur emra se për cilin lider e ka fjalën) tha se as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk i bën nder Kosovës. Këtë deklaratë Presidenti Thaçi e bëri në kohën kur janë shtuar presionet e SHBA-së dhe BE-së ndaj qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, që të hiqet taksa prej 100% ndaj mallrave të Serbisë në mënyrë që të vazhdohet me dialogun.
Miqësia duhet të ruhet
“Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane. Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit”, shkruan presidenti Thaçi. Sipas tij, asnjë lider shtetëror nuk guxon të dëmtojë interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së.
“Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë. As arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në. Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë”, shkroi në profilin e tij Hashim Thaçi.
SHBA kërkon heqjen e taksave
SHBA përmes një letre dërguar në Prishtinë dhe Bashkimi Evropian me vizitën në Kosovë dy ditë më parë të komisionarit Johanes Hahn, i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj që të heq taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Kjo u bë e ditur së fundmi nga vet kryeministri Haradinaj, i cili megjithatë thotë se taksa ndaj mallrave të Serbisë nuk do të hiqet, përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Sot e heqim taksën nëse ka marrëveshje për njohje, por mund të mos e heqim asnjëherë nëse Serbia nuk është e gatshme që ta njohë Kosovën. Kjo nuk ka të bëjë me Amerikën, ka të bëjë me Rusinë e Serbinë”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.
Pothuajse në të njejtën linjë me kryeministrin Haradinaj, shfaqet edhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, i cili thotë se “SHBA-së po kërkojnë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës në procesin e dialogut dhe jo kërkesë për largim të taksës”.
“Taksa 100 % i ka bërë mirë Serbisë dhe ka qenë reaksion pikërisht i një agresiviteti të cilin e ka sjell Serbia, për vetë faktin se Serbia një kohë të gjatë ka qenë tepër agresive dhe nuk e ka respektuar Kosovën, kemi me e bë që çdo ditë Serbia me e respektuar këtë shtet tonë të pavarur dhe sovran. Për vet faktin se çdo vendim dhe veprim i yni nuk është i drejtuar kundër asnjë qytetari, asnjë komuniteti etnik. Në të njëjtën kohë të jeni të sigurt se gjithë jetën time politike ka veç një partner, e ky është SHBA. Nuk do ta dëmtojmë edhe këtë partneritet as nuk do të lejojmë që të na e dëmtojnë”, thotë Kadri Veseli.
Serbia kritikon BE-në
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili i kërkoi Bashkimit Evropian që të bëjë trysni mbi Prishtinën zyrtare që ta heqë taksën ndaj prodhimeve të Serbisë. “Thirrja ime për partnerët Evropian të cilët kanë shumë ndikim në Prishtinë, është që të kërkojnë heqjen e taksës, sepse mendoj që është e rëndësishme që të vazhdojnë bisedimet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.
Pa heqjen e taksës, ne do të kemi probleme, shqiptarët dhe ne”, tha në Beograd Vuçiq.
Analistët politikë thonë se angazhimi i shtuar amerikan lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, është një tregues i qartë se SHBA synon arritjen e një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Njohësi i çështjeve ballkanike Naim Rashiti, i tha DW-së se deri në mars ose prill, do të dihet qartë nëse do të ketë një zgjidhje, apo do të ketë stërzgjatje të këtij procesi.
“Janë pak muaj për të parë mundësinë e një konference të modelit të konferencave të mëdha ndërkombëtare, çfarë i kemi parë në të kaluarën dhe të shihet apo përmbyllet ky proces me një marrëveshje finale, e cila me gjasë do të ketë shumë protokolle të cilat do ta përcjellin atë marrëveshje – protokolle të cilat do të negociohen. Nëse nuk arrihet marrëveshja, mund të kemi një vit kthese jo të mirë”, thotë Naim Rashiti.
Dialogu Prishtinë-Beograd për përmirësimin e marrëdhënieve nisi shtatë vjet më parë, por rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Bashkimi Evropian dhe SHBA tash po kërkojnë një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dyja vendet, ndonëse në procese të ndara, të bëhen pjesë e BE-së. /dw.com