Si rezultat i hetimit disajavor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë e mundur grumbullimi i provave të nevojshme për pjesëtarë të një grupi kriminal që shpërndanin lëndë narkotike heroinë e kokainë në zona të ndryshme të Tiranës.
Bazuar në këto prova u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Kutia e Pandorës”
Në kuadër të operacionit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
B. F., 40 vjeçe, banuese në Tiranë drejtuese e grupit kriminal
H. B., 41 vjeçe, anëtare e grupit kriminal
A. K , 45 vjeç, anëtar i grupit kriminal
K. B., 20 vjeç, anëtar i grupit kriminal.
Nga kontrolli i ushtruar në banesat e shtetases B. F., dhe A. K., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 6 kilogramë lëndë narkotike heroinë e kokainë, përkatësisht 3 kg 891 gramë lende narkotike e dyshuar heroinë dhe 2 kg e 110 gram lëndë narkotike kokainë, ku një pjesë ishte e ndarë në 1100 doza gati për shitje.
Gjithashtu nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan dhe shuma të mëdha parash në euro dhe lekë, konkretisht 83.555 euro, 420.000 lekë të rinj, 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare. Nga hetimit e kryera rezulton se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal që drejtohej nga shtetasja B. F., e cila siguronte lëndën narkotike në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte shpërndarësit në doza.
Po nga hetimet është bërë e mundur që të identifikohet edhe personi që furnizonte me sasi kokaine e heroine shtetasen B. F, raporton TiranaNews, transmeton Fol Drejt.