Antropologu kosovar, Arsim Canolli në një vështrim të publikuar në Koha.net, foli për shatërvanin e Xhamisë së Çarshisë, i cili sipas tij po tentohet të tjetërsohet.
“Xhamia e Çarshisë është e vjetër. Më e vjetra në Prishtinë. Monument nën mbrojtje. Shumë mirë që u restaurua, sepse ishte në gjendje të keqe. Ishte turp për Prishtinën dhe shtetin si mbrojtës i trashëgimisë kulturore, lënia në gjendje të tillë, ndonëse ka pasur arsye të shumta ligjore. Por, ndryshimi i Shatërvanit të Prishtinës, siç u pa në media, është tjetërsim i vlerave të trashëgimisë kulturore. Edhe pse në sytë e atyre që nuk i njohin parimet e mbrojtjes e ruajtjes së trashëgimisë kulturore nuk duket shumë gjë, ky është një akt i papranueshëm. Ky restaurim është bërë nga TIKA, organizata e qeverisë turke në Kosovë. TIKA ka bërë edhe punë të mira në Kosovë. Turqia është vend mik. Populli turk është popull mik. Por, duket se TIKA ka strategji silente fetare”, thotë Canolli.
Sipas Canollit Shatërvani i Xhamisë së Çarshisë nuk ka qenë “abdes’hane”, por “çezme për të gjithë”.
“Shatërvani i kësaj xhamie ka qenë pjesa më profane e saj, sepse ka qenë gjithmonë “vend sakral i ujit”. Qytetarët, i madh e i vogël, kanë pirë ujin lirshëm aty. Nuk e ka namin e Shatërvanit të Prizrenit, por ka pasur nam të madh në Prishtinë. Ky shatërvan ka qenë një lloj “kroi i kryeqytetit”.
Në restaurimin, me leje nga MKRS-ja, ky shatërvan nuk është më profan. Është vend abdesi, pjesë e ciklit religjioz, para faljes në xhami. Nuk do mend se pranë xhamisë edhe ka vende të tilla dhe “abdes’hane” të tilla ka gjithandej, madje edhe te një xhami afër aty. Por, Shatërvani i Xhamisë së Çarshisë nuk ka qenë “abdes’hane”, por “çezme për të gjithë””, u shpreh ai.
Për këtë reagoi gazetari, Imer Topanica, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ku iu drejtua Canollit duke i thënë se ky shatërvan nuk është tjetërsuar.
“«Shatërvani i kësaj xhamie ka qenë pjesa më profane e saj, sepse ka qenë gjithmonë “vend sakral i ujit”. Qytetarët, i madh e i vogël, kanë pirë ujin lirshëm aty. Nuk e ka namin e Shatërvanit të Prizrenit, por ka pasur nam të madh në Prishtinë. Ky shatërvan ka qenë një lloj “kroi i kryeqytetit”» – paska shkruar një antropolog i yni, duke iu referuar shatërvanit te Xhamia e Çarshisë në Prishtinë. Sipas tij, sakrilegjia e këtij vendi shembet në momentin që dikush ulet dhe merr avdes aty.
Hiç më larg se sa në paragrafin e mëposhtëm ai e kundërshton vetveten duke thënë:
«Në restaurimin, me leje nga MKRS-ja, ky shatërvan nuk është më profan. Është vend abdesi, pjesë e ciklit religjioz, para faljes në xhami. Nuk do mend se pranë xhamisë edhe ka vende të tilla dhe “abdes’hane” të tilla ka gjithandej, madje edhe te një xhami afër aty. Por, Shatërvani i Xhamisë së Çarshisë nuk ka qenë “abdes’hane”, por “çezme për të gjithë”. Ka status laraman: edhe me xhaminë, edhe me sheshin apo drumin. Drumi apo udha e madhe është e të gjithëve. Identifikohet me publiken.»
Shumë mirë që qenka me publiken, po nëse kjo “publikja”, pjesa më e madhe e saj, përbëhet prej besimtarëve muslimanë? Si të kuptohet ky standard i tij? Edhe me publiken, edhe jo? Ose ndoshta me publiken, me përjashtim nëse ata janë muslimanë?
«Nuk do mend se krojet e tilla publike nuk fetarizohen për t’i shndërruar kryekëput në pjesë të ritit fetar. Ky akt nuk i bashkon njerëzit rreth oborrit të xhamisë, por e tjetërson edhe xhaminë. E bën edhe më të largët për qytetarët. I bën hisedarë kryesorë “ata që marrin abdes”. E ngushton lojën e sheshit. Ky akt është shpirtngushtë.», – vijon antropologu shtjellimin e tij duke e paragjykuar situatën. Cilët besimtarë ua ndalojnë të tjerëve shfrytëzimin e çezmave pranë xhamive? Kur ka ndodhur kjo? Në fakt ato që njihen si hajrate, e kanë pikërisht këtë funksion. Prandaj shatërvani është ndërtuar në një vend publik që të mos iu takojë veç besimtarëve por edhe të tjerëve dhe kjo nënkupton krejtësisht të kundërtën e asaj që e pretendon antropologu ynë: zemërgjerësinë dhe jo shpirtngushtësinë.
E ka edhe një rresht të turpshëm që nuk po dua të ia veçoj në këtë reagim, sepse, pavarësisht tendencave të tij anti-islame, mbetet një studiues, artikujt e të cilit, ia vlen të lexohen”, u shpreh Topanica.
Xhamia e Çarshisë është një nga monumentet më të vjetra në Kosovë. Ajo daton që nga viti 1389, për dhjetë vite ka qenë e mbyllur, pasi që ishte në proces të renovimit, i cili përfundoi në fillim të këtij viti./FolDrejt/