Komuna e Gjilanit përmes neglizhimit të saj e ka lejuar mbylljen e tri bibliotekave të fshatrave: Malishevë, Përlepnicë e Dobërçan. Të trija këto fshatra administrativisht janë në kuadër të Gjilanit dhe të trija bibliotekat e fshtrave të lartpërmendura janë nëndegë të Bibliotekës së Qytetit “Fan S Noli” në Gjilan. Bibliotekat e këtyre fshatrave ka muaj e vite që janë lënë nën harresë nga ana e komunës.
Shkruan: Gëzim Olluri
Kanë kaluar muaj e vite kur bibliotekat e fshatrave Malishevë, Përlepnicë dhe Dobërçan janë lënë jashtë funksionit të tyre. Kjo si pasojë e neglizhencës nga Komuna e Gjilanit, e cila nuk është kujdesur për to. Madje, shkaku i mos kujdesit për funksionimin e bibliotekave, fondin librar e punësimin e bibliotekistëve të rinj, ato veçse janë mbyllur.
Deri para dy-tri vitesh biblioteka e Malishevës, ajo e Përlepnicës dhe Dobërçanit vepronin rregullisht. Pas shkuarjes në pension së bibliotekistëve, ato nuk janë duke vepruar si më parë. Nga ana tjetër, institucionet komunale nuk i kanë zëvendësuar punonjësit e as nuk kanë hapur konkurse të reja për punësimin e bibliotekistëve të rinj në mënyrë që bibliotekat të ushtrojnë funksionin e tyre.
Bazuar në burime të brendshme nga “Fol Drejt”, biblioteka në Malishevë ka tri vite që nuk vepron. Madje, objekti i saj është rrënuar nëpërmjet komunës nën arsyen se godina ka qenë e vjetëruar. Mirëpo, kanë kaluar vite që nga rrënimi i bibliotekës dhe nuk ka pasë ndonjë garanci ose nuk dihet nëse në vend të objektit të mëparshëm do të ndërtohet biblioteka e re. Në bibliotekat e Përlepnicës dhe Dobërçanit librat janë në rafte por bibliotekat nuk janë duke punuar. Ajo e Përlepnicës dhe Dobërçanit kanë më shumë se një vit që janë jashtë funksionit.
Shkaku i kushteve ekonomike e financiare, faktorit kohë dhe arsyeve imediate, shumë nxënës e lexues nga të trija fshatrat nuk po arrijnë të kenë qasje në bibliotekën e qytetit. Duke e parë situatën e krijuar, “Fol Drejt” e ka kontaktuar Drejtorinë e Kulturës në Gjilan për të mësuar më hollësisht rreth kësaj çështje. Mirëpo, nuk ka pasë ndonjë përgjigjje nga ana e tyre. Kërkesë me shkrim është dërguar edhe në Ministrinë e Kulturës për të marrë qartësime nëse janë në dijeni dhe do të ndërmarrin hapa në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit për ti funksionalizuar bibliotekat, por as nga ministria nuk kanë kthyer ndonjë përgjigjje.
Kujtojmë që Komunën e Gjilanit për afro dy vite e qeverisë Alban Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa para tij komunën e ka drejtuar Lutfi Haziri nga tabori i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Shikuar nga aspektet ligjore, bibliotekat komunale veprojnë në kuadër drejtorive kulturore komunale me mbikëqyrje dhe ndihmë edhe nga Ministria e Kulturës. Thënë realisht, ligji për bibliotekat në raste të caktuara, nuk i specifikon qartë disa gjëra siç është në këtë rast punësimi i bibliotekistëve të rinj apo veprimtaria e bibliotekave nëpër fshatra.
Ligji Nr. 04/L-097 për Bibliotekat është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 9 Maj 2012. Më poshtë i gjeni qartësimet ligjore në lidhje ose që përafrohen me veprimtarinë dhe funksionimin e bibliotekave e të cilat ndërlidhen me rastin e bibliotekave të fshatrave gjilanase:
Neni 4 – Themelimi i bibliotekave, paragrafi 2 thotë: Kushtet dhe kriteret për themelimin dhe funksionimin e bibliotekave përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria përkatëse për Kulturë në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për Arsim dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Neni 5 – Llojet e bibliotekave, bazuar në paragrafin 1 sa i përket llojeve të bibliotekave sipas themelimit ndahen në biblioteka publike dhe biblioteka private. Ndërsa, bazuar në paragrafin 2 sipas funksionit dhe veprimtarisë së tyre, bibliotekat publike klasifikohen në këto lloje: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Biblioteka Komunale, Biblioteka Universitare, Biblioteka shkollore, biblioteka të veçanta, biblioteka private për shfrytëzim publik.
Neni 13 – Financimi i bibliotekave publike, paragrafi 2 shkruan: Biblioteka komunale financohet nga buxheti i Komunës.
Neni 18 – Funksionet dhe detyrat e bibliotekës komunale, paragrafi 8 thotë: Stafi profesional i bibliotekës përzgjidhet në përputhje me përgatitjen profesionale të bibliotekistëve.
Kujtojmë se biblioteka e Malishevës dhe ajo e Dobërçanit kanë vepruar edhe në vitet e ’90-ta, kurse të dyja janë shkatërruar e djegur nga forcat pushtuese të Serbisë në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë. Pas luftës e çlirimit të Kosovës, ato e kanë filluar sërish veprimtarinë e tyre.