Twitter ka etiketuar NPR të SHBA-së dhe BBC-në e Mbretërisë së Bashkuar si media “të financuara nga qeveria”, pasi NPR fillimisht u etiketua si “media e lidhur me shtetin” duke sugjeruar mungesën e pavarësisë së politikës editoriale.
Ndryshimi në mënyrën se si Twitter etiketon Radion Publike Kombëtare me bazë në Uashington (NPR) ndodhi në heshtje të shtunën mbrëma dhe erdhi pasi rrjeti u ankua se termi “i lidhur me qeverinë” ishte poshtërues dhe i pasaktë, kështu që Twitter ndryshoi etiketën në “financuar qeverinë”, përcjell Fol Drejt.
Twitter javën e kaluar shënoi NPR në të njëjtën mënyrë si platformat kineze dhe ruse të kontrolluara nga qeveritë e këtyre vendeve. Në shenjë proteste, NPR ndaloi së shkruari në Twitter.
NPR: Kjo është më pak se një për qind e buxhetit tonë
Llogaria kryesore e NPR në Twitter, e cila ka më shumë se 8.8 milionë ndjekës, u bëri thirrje përdoruesve që “t’i gjenin diku tjetër ku lexoni lajmet”. CEO i NPR, John Lansing tha se vendimi i Twitter ishte “i papranueshëm”.
NPR, një nga mediat më të respektuara të lajmeve në Amerikë, i tha AFP se më pak se një përqind e buxhetit të saj operativ vjen nga burime federale.
Etiketën e re Twitter ia dha edhe BBC-së, e cila iu drejtua Twitter-it për një shpjegim, shkruajnë mediat.
“BBC është e pavarur dhe ka qenë gjithmonë. Ne financohemi nga publiku britanik përmes abonimeve”, raportojnë mediat britanike.
Abonimi, shuma e të cilit përcaktohet nga qeveria, është 159 £ në vit.
Profili i BBC-së në Twitter, me 2.2 milionë ndjekës, është etiketuar, ndërsa profilet më të njohura të lidhura me lajmet e fundit dhe mediat sportive të korporatës nuk përshkruhen aktualisht si të tilla. I njëjti është rasti me llogaritë e tjera të NPR, siç është ajo e muzikës.
Musk: BBC është një nga organizatat më pak të njëanshme
Pronari i Twitter, Elon Musk e ka përshkruar BBC-në si një nga organizatat “më pak të njëanshme” pasi transmetuesi kundërshtoi të etiketohej si “media e financuar nga qeveria”.
“Duhet të përmend se unë ndjek lajmet e BBC-së në Twitter sepse mendoj se ato janë ndër më pak të njëanshmit”, tha Musk.
Në rastin e NPR, Musk shkroi se parimi i Twitter është thjesht “qasje e drejtë dhe e barabartë”, kështu që “nëse i shënojmë llogaritë jo-amerikane si qeveri, atëherë duhet të bëjmë të njëjtën gjë për llogaritë amerikane, por duket se kjo mund të mos jetë e vërtetë këtu”./FolDrejt/