Pas bojkotimit që iu bë nga mediat, duke mos e mbajtur konferencën e paraparë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, për shkak të vonesës së ministrave, kanë reaguar nga Qeveria.
Zëdhënësi i qeverisë së kryesuar nga Albin Kurti, Përparim Kryeziu, foli mbi vonesën duke e lidhur me një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar.
Kryeziu tha se mbajtja e konferencës për media pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht dhe se një situatë e tillë, e lidhur me bojkot, ka mundur të shmangej.
Tutje, për boktotin e sotëm, Kryeziu ka thënë se interesi publik nuk u vendos në rend të parë./FolDrejt/
Postimi i plotë i Kryeziut:
“Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë.”