Trupi i gazetarit të pavarur Juan Arjon Lopez, 62-vjeç, u gjet në veri të Meksikës, duke e çuar në 14 numrin e punonjësve të mediave të vrarë në vend që nga fillimi i vitit.
Kryeprokurorja në Sonora, Claudia Indira Contreras Cordova, informoi publikun në një konferencë për media për gjetjen e trupit të gazetarit që u zhduk më 9 gusht, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas prokurorisë, shkak i vdekjes së gazetarit ka qenë një goditje në kokë me send të mprehtë.
“Nuk mund të përjashtohet asnjë motiv në hetim”, tha Contreras.
Lopez, gazetar i portalit informativ “A Qué Le Temes”, për herë të fundit u pa më 8 gusht, sipas kolegëve dhe familjarëve, të cilët e raportuan zhdukjen e tij në rrjetet sociale.
Katërmbëdhjetë gazetarë janë vrarë që nga fillimi i vitit në Meksikë, e cila sipas Reporterëve pa Kufi, është ndër vendet më të rrezikshme për ushtrimin e këtij profesioni.
Qeveria meksikane, megjithatë, deklaron se në vitin 2022 janë vrarë dhjetë gazetarë, sepse llogarit vetëm ata që humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës./FolDrejt/