Universiteti i Stokholmit i ka kërkuar falje një studentes turke, aplikimi për praktikë e të cilës u refuzua nga një profesor suedez për shkak të aplikimit në pritje të Suedisë për anëtarësim në NATO.
Fatma Zehra S., një studente e vitit të tretë që studion psikologji në Universitetin Ibn Haldun të Istanbulit, u pranua në një universitet përmes programit ‘Erasmus+’ të Bashkimit Evropian (BE) për një praktikë verore të vitit 2023 sipas zgjedhjes së saj, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Një nga praktikat për të cilën ajo aplikoi ishte në Universitetin e Stokholmit të Suedisë. Më 23 nëntor të vitit 2022, Fatma i dërgoi një mail profesorit Per Carlbring, i cili drejton një grup kërkimor të psikologjisë klinike në universitet, duke kërkuar nga ai të marrë pjesë në një projekt kërkimor të drejtuar nga ai.
Brenda pak orësh, Carlbring u përgjigj, “Do të doja t’ju prisja. Megjithatë, pasi Turqia nuk e lejon Suedinë të anëtarësohet në NATO, unë duhet të refuzoj. Më falni!”.
Dje, në një deklaratë, universiteti pranoi se “një punonjës u shpreh në një mënyrë joprofesionale dhe të papranueshme”.
“Sapo mësuam për këtë çështje, ne vepruam dhe e trajtuam atë sipas rutinës sonë”, tha universiteti.
Universiteti shtoi se Carlbring është “thellësisht i penduar dhe e kupton se ai e trajtoi këtë çështje gabimisht”.
“Universiteti gjithashtu i ka kërkuar menjëherë falje personit dhe tashmë në dhjetor të vitit të kaluar ka ofruar ndihmë në përpjekjen për të gjetur një praktikë tjetër në universitetin tonë”, thuhet në njoftimin e universitetit.
Në muajin maj të vitit të kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n, duke braktisur dekada të mos angazhimit ushtarak, vendim që u shkaktua nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Qershorin e kaluar, Turqia, Suedia dhe Finlanda nënshkruan një memorandum për t’i hapur rrugë aplikimit të dy vendeve nordike për t’u anëtarësuar në NATO.
Turqia nuk i ka refuzuar aplikimet e tyre, por thotë se të dy vendet duhet të përmbushin premtimet e tyre në memorandum për ndërmarrjen e një qëndrimi të vendosur kundër terrorizmit në mënyrë që të fitojnë anëtarësimin, gjë për të cilën Turqia thotë se ende nuk e kanë bërë./FolDrejt/