Ndoshta ishte dita më e errët e karrierës së tij politike, më së paku ishte një humbje e thellë personale: Jo-ja e francezëve në referendumin për Kushtetutën Evropiane do ta brente Valéry Giscard d’Estaing-in edhe shumë kohë pas datës 29 maj 2005. Si President i Konventës së Kushtetutës së BE-së, ai i kishte bashkuar interesat kundërshtore të asokohe 25 vendeve të BE-së, duke u angazhuar me të gjithë peshën e tij politike për këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit.
Nuk kishte asnjë dyshim për largpamësinë e qëllimeve të tij: “Le ta ëndërrojmë që tani Evropën” – me këto fjalë politikani borgjezo-liberal kërkonte mbështetjen e bashkatdhetarëve të tij. Por e parë në retrospektivë, ai e dinte se francezët po abuzonin me votën, duke shprehur protestë ndaj politikës së brendshme.
Koncepti i një Kushtetute Evropiane dështoi, por disa pika kryesore mbijetuan dhe u shkruan edhe në Traktatin e Reformës në Lisbonë, dy vjet më vonë – tërësisht në frymën e strategut politik Giscard, i cili i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij “projektit evropian”.
Gjatë pushtimit të Konstancës ai ishte në tankun e parë
Valéry Giscard d’Estaing luftoi për bashkimin e Evropës dhe për një miqësi të ngushtë franko-gjermane, edhe për faktin, sepse e kaluara e tij ishte e lidhur ngushtë me të dyja vendet. I lindur në Koblenc, më 2 shkurt 1926, si i biri i një oficeri të ushtrisë pushtuese, Giscard u kthye në Gjermani në vitin 1945 si ushtar i ri, me forcat e armatosura të Francës së lirë. Luftë dhe armiqësi midis dy fuqive të mëdha të Evropës kontinentale: kjo ishte gjendja e Evropës, kur Giscard filloi karrierën e tij.
Me instrumentet e duhura për ngjitjen e tij të shpejtë në shërbim të shtetit francez u pajis në dy nga universitetet elitare më të njohura të vendit. Në moshën 30-vjeçare kaloi nga administrata në politikë, ku shumë shpejt tërhoqi vëmendjen për mendjen e ndritur. Punon fillimisht si Sekretar Shteti, pastaj si Ministër Financash dhe – pas vdekjes së papritur të Presidentit Georges Pompidou – Valéry Giscard d’Estaing, në vitin 1974, në moshën 48-vjeçare, bëhet presidenti më i ri në historinë e Republikës Franceze.
Reformat liberale për Francën
Në Élysée, “i porsaardhuri” u paraqit si modernizues: ai liberalizoi ligjin e abortit, uli moshën madhore nga 21 në 18 dhe luftoi për një ligj të ri divorci. Por në periudhën e shërbimit të tij si president qëlluan edhe kriza e naftës dhe rritja e papunësisë.
Konkurrenca politike në radhët e partisë së vet do ta dëmtonte më së shumti. Ishte kryeministri i zëshëm i atëhershëm, Zhak Shirak, i cili do të bënte që presidenti-borgjezo-liberal të largohej nga Pallati Elysée në vitin 1981, pas vetëm një periudhe legjislative. Afera e diamanteve, dhurata nga diktatorët afrikanë, gjithashtu do ta dëmtonte imazhin e tij në publik.
Këtej e tutje Giscard do të përqendrohej te politika e jashtme. Me kancelarin gjerman Helmut Schmidt francezët formuan një dyshe të fuqishme, të cilët, me Sistemin Monetar Evropian, hodhën themelet e monedhës së përbashkët, euros, dhe shtynë përpara procesin e bashkimit të kontinentit. Takimet në grupe të vogla të kryetarëve të shteteve dhe qeverive perëndimore (G7) bazohen gjithashtu në iniciativën e tij.
Jeta private në shënjestër të shtypit
Në jetën e tij private, Giscard d’Estaing, babai i të cilit vinte nga një familje e klasës së lartë dhe e kishte blerë titullin e fisnikërisë në vitet 1920, gjithashtu tërhoqi vëmendjen për shkak të stilit të tij të jetesës. Në atdheun e tij Auvergne, “VGE”, siç u pëlqente francezëve ta quanin presidentin e tyre, ai banonte në një kështjellë, e cila në vitin 2005 do të pasohej nga një tjetër.
Bashkatdhetarët e tij kujtojnë gjithashtu një aksident me makinë Place de la Concorde, në qendër të Parisit, ku presidenti në detyrë, njëkohësisht edhe baba I katër fëmijëve, ishte “i shoqëruar”, siç shkruante shtypi me mirësjellje në atë kohë. Në agim, VGE ishte përplasur me një kamion qumështi me makinën e tij private. Dhe kështu francezët nuk u habitën kurrsesi kur Giscard d’Estaing, në vitin 2009 do të fliste për një person tjetër. Në librin e tij, “Princesha dhe Presidenti”, ish-Presidenti aludonte për një lidhje me princeshën Diana në vitet 1980.
I shqetësuar për të ardhmen e Evropës
Giscard ka marrë disa çmime për meritat e tij në bashkimin e Evropës. Ai ishte një qytetar nderi i vendlindjes së tij Koblenc, ishte vlerësuar me Çmimin e Karlit të Aahenit, Çmimin e Paqes së Vestfalisë. Në vitin 2003, Akademia Franceze e futi në radhët e të pavdekshmëve.
Giscard kishte një miqësi të gjatë personale me homologun e tij gjerman, Helmut Schmidt. Këto takime burrështetasish nga brezi i luftës përqendroheshin në të ardhmen e Evropës. I tillë ishte edhe e takimi i tyre i fundit në Paris, në pranverën e vitit 2013, kur Giscard do të skiconte vizionin e tij për Evropën e vitit 2030: asokohe 87-vjeçari kërkonte unifikimin e nivelit të pensioneve, të përfitimeve sociale, një monedhë të fortë të vetme dhe të njëjtat rregulla buxhetore. Këtë hap integrimi nuk pati fatin ta përjetonte.