Në dy kate si dhe e mveshur në formë druri, biblioteka “Ernest Koliqi” në kuadër të qendrës ‘Bogdani Polis’ në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ofron ambient komod e atraktiv për dashamirët e librit. Dikur bibliotekë private e Ipeshkvisë, në maj të 2022-ës u shndërrua në bibliotekë publike.
Shkruan: Gëzim Olluri
Deri në vitin 2022 ishte bibliotekë private e Ipeshkvisë, ndërsa u shndërrua në bibliotekë publike më 20 maj të 2022-ës dhe u emërtua “Ernest Koliqi”, datë e cila përkon me ditëlindjen e shkrimtarit të shquar shqiptar nga Shkodra – Ernest Koliqi.
Ambienti i ngrohtë, lashtësia e librave për nga pesha historike, shkallët prej druri, këndet e rregulluara bukur, si dhe ekspozimi i të gjithë librave, e bëjnë të veçantë bibliotekën “Ernest Koliqi” që gjendet në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë. Me rreth 16 mijë libra në fondin librar të saj, ajo ofron materiale të shumëllojshme në gjuhën shqipe dhe disa gjuhë të tjera.
“A ka send mâ të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi t’zhytur n’errsinen e padijes?“, shkruante dikur Ernest Koliqi në veprën “Hija e Maleve – Tregtarë Flamujsh”. Pikërisht, bibliotekat janë në mesin e institucioneve që ndikojnë në qytetnimin e një kombi. Një bibliotekë më shumë në mesin e të tjerave tashmë ka kohë që është në shërbim të studentëve e qytetarëve.
Lexuesit apo studentët mund të furnizohen me literaturë në disa fusha e zhanre të ndryshme. Duke filluar me vepra nga religjioni, biblioteka përmbanë edhe libra nga fusha si: psikologji, sociologji, histori, mjekësi, drejtësi, ekonomi, arte, folklor, politikë, edukim, shkencë, albanologji e të tjera. E gjithashtu, romane, prozë, poezi e fjalorë të gjuhëve ndryshme, literaturë shqiptare e ndërkombëtare.
“Tash për tash anëtarësimi është pa pagesë, mirëpo librat nuk mund të huazohen jashtë bibliotekës ngase shumë prej tyre janë vetëm në një kopje. E kështu po mundohemi që ta ruajmë edhe fondin librar, por edhe të jenë në shërbim të të gjithëve që lexojnë këtu në bibliotekë”, shprehet Doruntina Gjini, e cila është udhëheqëse e bibliotekës.
Përveç fondit që e kishte biblioteka private, pasurimi i fondit librar është ndihmuar edhe nga Akademia e Shkencave, Instituti i Albanologjisë, donatorë dhe disa shtete mike të Republikës së Kosovës. Brenda rafteve të bibliotekës ka hapësirë edhe për mijëra libra të tjerë dhe pritet që fondi i saj të pasurohet edhe më shumë në të ardhmen.