Vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe vendet e zonës Shengen që nuk janë anëtarë të BE-së, ranë dakord për zbatimin e masave të koordinuara për shkak të rritjes së rasteve të COVID-19 në Kinës.
Zyrtarët përgjegjës për menaxhimin e krizave të vendeve të BE-së, institucioneve përkatëse të BE-së dhe vendeve anëtare të Shengen-it, u mblodhën në Bruksel për të diskutuar se çfarë mund të bëhet kundër rritjes së rasteve në Kinë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në një deklaratë të bërë në fund të takimit nga Këshilli i BE-së për të cilin Suedia kryeson presidencën e radhës, thuhet se është marrë vendimi për rekomandimin e vendosjes së maskës mjekësore për të gjithë pasagjerët që udhëtojnë drejt Kinës dhe që vijnë nga Kina.
Në vendimet e marra në takim, për udhëtarët nuk u bë me detyrim të drejtpërdrejtë që udhëtarët të kryejnë testin e COVID-19.
Por vendet e BE-së njoftuan se “do të inkurajohet në mënyrë të fuqishme” që të kërkohet edhe testi me rezultat negativ i kryer 48 orë para fluturimit për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Kina.
Vendet e BE-së ranë dakord që për të ndjekur situatën epidemiologjike, të analizohen ujërat e zeza të avionëve që ulen nga Kina dhe të shqyrtohen sekuencat e gjenomeve duke marrë mostra të rastësishme nga udhëtarët.
Në mesin e muajit janar vendet e BE-së do të vlerësojnë sërish situatën.
Shumë vende të shqetësuara njoftuan se do të marrin masa ndaj udhëtarëve që vijnë nga Kina për shkak të numrit në rritje të rasteve dhe përhapjen masive të koronavirusit në vendin aziatik, pasi Kina lehtësoi masat e koronavirusit në fillim të muajit të kaluar.
Krahas vendeve të BE-së, përfshirë Italinë, Spanjën, Francën, edhe shumë vende të tjera si SHBA-ja, India, Japonia, Malajzia, Britania, Australia dhe Kanadaja, njoftuan zbatimin e testimit dhe masa për të ndjekur gjendjen shëndetësore të udhëtarëve që vijnë nga Kina.
Edhe Komisioni i BE-së ka kërkuar zbatimin e masave të njëjta në mënyrë të koordinuar në të gjithë unionin ku dhe shumica e vendeve të BE-së i janë bashkuar këtij mendimi./FolDrejt/