Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar të papranueshme kërkesën e Albert Kinollit dhe Veton Berishës, duke konstatuar se Gjykata Supreme nuk ua ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve Parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Kinolli e Berisha kishin pretenduar se kundërkandidatët e tyre nga komunitet kishin marrë më shumë vota sesa që kishte banorë të këtyre komuniteteve në vendbanime respektive.
“Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”, thuhet në aktgjykim të Kushtetueses, të publikuar të enjten.
Siç njoftohet, gjykata ka vendosur që kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Po ashtu sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues.
“Më saktësisht, Aktgjykimi sqaron që, rrethanat e rasteve konkrete ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura me 14 shkurt 2021. Dy kandidatët përfaqësues të subjekteve politike, PLE dhe PBREK, respektivisht dhe të cilët sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve parlamentare të lartcekura, nuk kishin arritur të fitojnë vende në Kuvend, pretendojnë që të drejtat e tyre zgjedhore janë cenuar si rezultat i vendimeve përkatëse të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme, të cilat parashtruesit përkatës i kontestojnë para Gjykatës duke pretenduar shkelje të paragrafit 4 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit], nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim. /Telegrafi/