Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion nga Kongresi Amerikan, të kryesuar nga Omri Rahmil, këshilltar politik i kongresmenit Peter Roskam (kryetar i Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë – HDP), shoqëruar nga përfaqësues të USAID-it dhe NDI-së nga Uashingtoni.
Në takim u diskutua për partneritetin midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kongresit Amerikan dhe ndihmën e gjithanshme që agjencitë e SHBA-ve i kanë dhënë dhe po i japin Kuvendit në ngritjen e kapaciteteve në shumë segmente.
Veseli falënderoi miqtë amerikanë për këtë mbështetje, ndërsa garantoi vazhdimin e këtij partneriteti edhe në të ardhmen.
Zyrtarët nga Kongresi Amerikan falënderuan kryetarin Veseli për bashkëpunimin e ngushtë, ndërsa vlerësuan punën e mirë në fushën e transparencës para publikut dhe të llogaridhënies.