Ideja e themelimit të një komisioni hetimor parlamentar për furnizimin dhe menaxhimin e rezervave shtetërore, po kundërshtohet nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje!, shkruan Fol Drejt.
Mimoza Kusari Lila, shefe e këtij grupi parlamentar, ka thënë se peticioni i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e i nënshkruar nga 41 deputetë, është hap i ngutshëm.
“LDK-ja ka ndërmarr një hap i cili është hap i ngutshëm sipas Grupit Parlamentar të LVV-së duke dorëzuar në Kuvend kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore. Megjithatë, disa muaj ma herët në Kuvend dhe në media janë përmendur dyshimet se mund të ketë keqpërdorime me rezervat shtetërore”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka rikujtuar përvojat e mëhershme, si në rastin e periudhës së pandemisë, kur një komision parlamentar kishte kërkuar dokumente specifike, ndërsa nga Prokuroria nuk ishin shfaqur aq kooperues.
“Asnjë dokument i vetëm nuk i është lëshuar Kuvendit të Kosovës. Ky ka qenë rasti me Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë” – ka thënë ajo.
Për më tepër Kusari e ka shtruar edhe një pyetje retorike:
“A nuk po i besoni Prokurorisë?”, duke e vënë në dyshim iniciativën e opozitës.
Nga kjo e fundit besohet se, duke u mbështetur edhe në raportimet mediale, se ka bazë të mjaftueshme për t’i forcuar dyshimet, dhe për ta nisur një hetim mbi çështjen e rezervave shtetërore./FolDrejt/