Gjatë transmetimit të lajmeve të mbrëmjes në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka ndodhur një ngjarje e pazakontë, teksa një person ka hyrë që në hapje të edicionit të lajmeve, duke qëndruar me një parullë në duar.
“Radio Televizioni i Kurtit” ishte parulla që mbante në duar personi që hyri në studion e lajmeve, e për të cilin nga RTK thanë se nuk ishin në dijeni.
Pas ndodhisë, moderatorja e RTK-së kërkoi falje, duke lënë të kuptohet se stafi nuk ishte në dijeni për hyrjen e personit që mbajti parullën.
Ndërkaq, lidhur me këtë rast ka reaguar Dardan Molliqaj, i cili me një postim në facebook, ka nënkuptuar se ky veprim mund të jetë veprim i subjektit politik që udhëheq vetë ai.
“Radio Televizioni i Kurtit
Lajmet e televizionit publik tash e tutje janë lajmet e partisë. Redaksia tash është Qeveria. Policia nuk është më veç në rrugë. Ajo vjen përmes filtrave të censurës. Garanton Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, i deleguar nga Partia-Shtet.
Emërimet partiake nëpër ndërmarrje e agjenci janë bërë pjesë e përditshmërisë. Por, ky nuk është emërimi i radhës. Me këtë emërim pushteti na hyn nëpër shtëpi. Për të na treguar si duhet t’i kuptojmë veprimet e tij. Por, qytetarët tanë e kanë kaluar, dhe nuk do të kthehen me në kohërat e errëta ku jeton ky regjim. Liria do t’i gjejë rrugët e saj.”, ka shkruar Molliqaj, duke ia bashkëngjitur edhe videon e aksionit./FolDrejt/