Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) bën të ditur se fushat me presion të ulët të cilat kanë përfshirë vendin do të vazhdojnë ndikimin e tyre edhe për gjatë javës, duke ndikuar të kemi një mot të ndryshueshëm.
Pjesët e para të ditës zakonisht fillojnë me rreze dielli, por gjatë ditës, rrezet e diellit do të zëvendësohen me vranësira reshje shiu dhe shkarkime elektrike.
Sipas IHK-së, për shkak të gjendjes së lartë termike që ishte në mesjavë dhe proceseve tjera termodinamike në troposferë, rrezikohen disa zona të izoluar me reshje breshëri (breshnizë).
Sa i përket temperaturave, ato mbesin në vlera të njëjta me këto të fundit, duke i ruajtur mesataret e viteve tjera të muajit gushtë.
Kjo situatë meteorologjike do të ndikojë pozitivisht në kushtet biometeorologjike, hidrologjike dhe atyre agrometeorologjike, meqë mungesa e reshjeve është prezent kohëve të fundit.
Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 23-29 gradë Celsius. Indeksi UV mbetet në vlerat e mesatareve.
Do të fryjë erë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit e lehtë dhe lokalisht e fortë. /FolDrejt/