Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka kërkuar edhe një herë nga institucionet e Kosovës që të heqin vendimin për taksë 100% ndaj produkteve serbe tash e më shumë se një muaj.
Ai ka thënë se heqja e taksës është e vetmja mënyrë për t’i hapur rrugë dialogut Kosovë-Serbi, transmeton Indeksonline.
“Edhe një herë, i bëj thirrje Prishtinës që ta heq taksën. Një vendim i tillë do të zhbllokonte situatën. Jam i sinqertë, ndoshta edhe pak pesimist. Unë shpresoj, shpresoj që do të jetë një vendim i mençur që do t’i hap rrugë bisedimeve”, ka theksuar Vuçiq.
Tutje, i pari i Serbisë ka thënë se thirrja e tij shkon për partnerët ndërkombëtarë të cilët kanë shumë ndikim në Prishtinë.
“partnerët evropian të kërkojnë heqjen e taksës, sepse mendoj që është e rëndësishme që të vazhdojnë bisedimet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve për një të ardhme më të mirë”, ka thënë Vucic, duke shtuar se BE duhet të jetë me i qartë në këtë çështje dhe se pa heqjen e taksës, shqiptarët e serbët do të kenë probleme. /Indeksonline/