Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë e ka akuzuar kreun e Komunës, Shpend Ahmeti se qumështi i cili u jepet fëmijëve në shkolla fillore nga Komuna është blerë për 530 mijë euro më shtrenjtë.
Përmes një konference për media kjo partia ka paraqitur dyshime për kompaninë fituese dhe lidhjet e saj me kompaninë “Devolli Group”.
Asmablisti i komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani këtë tender e ka quajtur skemë kriminale.
“Që për ne është skemë kriminale e cila ka dëmtuar buxhetin e komunës, pra paratë e qytetarëve për 530 mijë euro. Tenderi paraprak ka qenë në vlerë 200 mijë euro. Në shpalljen e tenderit të vitit 2017 pavarësisht se vlera e tenderit për të njëjtin produkt dhe me të njëjtën sasi ka qenë 200 mijë euro, vlera e parashikuar e tenderit është bërë 730 mijë euro. Pa asnjë studim apo analizë domethënë 530 mijë euro më shumë. Edhe pse si kompania më e lirë, kompania prodhuese nuk merr fare pjesë në tender”, ka shtuar ai.
Asamblisti i Vetëvendosjes thotë se kjo skenë është e mirë menduar nga zyrtarët e Prishtinë dhe kompania “Devolli Group”.
Sipas ish-partisë së Ahmetit fituesi i tenderit është ditur ende pa aplikuar.
“Kompania ABRAZEN” LTD me vend ndodhje në Maltë, vendi i cili njihet si një nga parajsat fiskale. Nga të dhënat në ARBK shihet qartë se kjo kompani është e lidhur direkt me kompaninë prodhuese “Devolli Group” SHPK. Edhe pse në mes dy tenderëve në fjalë TVSH për qumështin është zvogëluar oferta e kësaj kompanie dyfishohet për 19.4 cent. Zyrtarët komunal në vend që të bëjnë rrumbullakimin në vlerë më të vogël pra në 19 cent , vlera rrumbullakohet në 20 cent”, ka thënë Rrahmani.
Sipas Vetëvendosjes, kjo është rrjedha e ngjarjeve me të cilën është dëmtuar buxheti i Komunës.
– Tenderi paraprak në periudhën 2014-2015 ka qenë me vlerën 200.000 EUR
– Në shpalljen e tenderit për vitin 2018, vlera e parashikuar e tenderit është bërë 730.000 EUR pa asnjë studim apo analizë. Dmth 530.000 EUR më shumë.
– Edhe pse si kompania më e lirë nga tenderi i parë, kompania prodhuese nuk merr fare pjesë në tender
– Tenderin e fiton kompania “Arbazen” LTD me vendodhje në Maltë, vend i cili njihet si një nga parajsat fiskale.
– Nga të dhënat në ARBK shihet qartë që kjo kompani është e lidhur direkt me kompaninë prodhuese “Devolli group” Shpk.
– Edhe pse në mes të dy tenderëve në fjalë, TVSH për qumështin është zvogëluar, oferta e kësaj kompanie dyfishohet në 19.4 cent
– Zyrtarët Komunal në vend që të bëjnë rrumbullaksimin në vlerën më të vogël, pra në 19 cent, vlera rrumbullaksohet në 20 cent.
– Si përfundim kemi dëmtim të buxhetit të Komunës prej 530,698 Eurove.