SHBA-ja ka etiketuar grupin ‘Wagner’, korporatën ushtarake private të Rusisë, si “organizatë kriminale” ndërkombëtare dhe është zotuar se do të shtojë sanksione të tjera ndaj kompanisë së lidhur me Kremlinin.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se përveç vendimit të Departamentit të Thesarit për të etiketuar grupin ‘Wagner’ si një “organizatë kriminale transnacionale”, administrata e presidentit Joe Biden javën e ardhhsme do të vendosë dënime ekonomike ndaj organizatës dhe “rrjetit mbështetës” të saj, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Këto veprime njohin kërcënimin transkontinental që paraqet ‘Wagner’, përfshirë modelin e tij të vazhdueshëm të aktivitetit të rëndë kriminal. Mesazhi ynë për çdo kompani që po shqyrton të ofrojë mbështetje për ‘Wagner’-in është thjesht ky… ‘Wagner’ është një organizatë kriminale që po kryen mizori të përhapura dhe abuzime të të drejtave të njeriut”, tha Kirby.
Sipas vlerësimeve të SHBA-së, ‘Wagner’ ka një personel prej rreth 50 mijë personash të dislokuar në Ukrainë për të forcuar përpjekjet luftarake të Rusisë atje. Kompania ka qenë shumë e rëndësishme për arritjet e fundit të Rusisë në Donbas dhe ka qenë e përfshirë në konflikte në mbarë botën, përfshirë në Libi, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali.
Dje, Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit, tha se mercenarët e tij “morën plotësisht” kontrollin e Kleshcheyevka-s, një periferi kyçe e qytetit Bakhmut përmes të cilit trupat ukrainase ishin furnizuar me armë dhe pajisje ushtarake.
Prigozhin pretendoi se “betejat e ashpra” vazhduan rreth Kleshcheyevka-s, me ukrainasit “të kapur në çdo metër të fushës”./FolDrejt/