Biologu nga Universiteti i Prishtinës Halil Ibrahimi, ka njoftuar se së fundi një insekt i zbuluar në lumin Lepenc, në Parkun Kombëtar Mali Sharr, është lloji më i fundit i botuar në “revistën Biodiversity Data Journal”, shkruan Fol Drejt.
“Në bazë të analizave morfologjike dhe molekulare, lloji i ri i takon një grupi të llojeve të rralla endemike të Ballkanit dhe të rrezikuara nga veprimet e shumta të degradimit të mjedisit” – ka shkruar Ibrahimi.
Për më shumë, ai e ka shpjeguar edhe kuptimin e mërit të cilin ia ka vënë:
“Tekstualisht emërtimi ‘humoinsapiens’ vjen nga dy fjalë latine: ‘humo’ që në shqip do të thotë ‘të mbulosh me dhe, të varrosësh’ dhe ‘insapiens’ që do të thotë ‘i pamatur, i pamençur’ dhe i referohet trajtimit të pamatur të habitateve ku është gjetur lloji i ri. Shpeshherë në mjedise të tilla kemi ‘lumenj të varrosur’ në tërësinë e tyre.
Mirëpo emërtimi ‘humoinsapiens’ që tingëllon si Homo insapiens (njeriu i pamençur) është më tepër sarkazmë me emrin shkencor të llojit njeri Homo sapiens (njeriu i urtë, njeriu i mençur). Me ‘njeriu i pamençur’ kemi dashtë me tërheqë vëmendjen në paurtësinë marramendëse të njeriut modern karshi trajtimit të mjedisit të dhënë në përkujdesje nga Zoti.”
Ua kujtojmë se publikimet e profesor Ibrahimit kanë bërë jehonë në mbarë botën, ndërsa punimet e tij shkencore janë publikuar në revistat më të njohura shkencore në fushën e biologjisë./FolDrejt/