Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se kanë kryer përgatitje kundër sulmeve të mundshme që ushtria ruse mund të zhvillojë kundër vendit të tij.
Në një video-mesazh që ndau nga llogaria në Telegram, Zelenskyy theksoi se ka biseduar në telefon me liderët e disa vendeve për të marrë më shumë mbështetje në luftën që vazhdon kundër Rusisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zelenskyy informoi se ka zhvilluar biseda telefonike të ndara me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau; kryeministrin britanik, Rishi Sunak; kryeministrin holandez, Mark Rutte dhe kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store.
Duke pretenduar se Rusia ka përgatitur mobilizim të ri kundër Ukrainës, Zelenskyy tha se “aktualisht është një moment i nevojshëm që bashkë me partnerët tanë të forcojmë mbrojtjen tonë”.
Ai njoftoi se kanë kryer përgatitje kundër sulmeve të mundshme të Rusisë ndaj vendit të tij, duke shtuar: “Duhet të prishim këtë skenar rus. Po përgatitemi për këtë. Terroristët duhet të humbasin. Çdo përpjekje për sulmet e tyre të reja duhet të dështojë”./FolDrejt/