Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi rajonin jugor të Khersonit dhe vijën e frontit, disa muaj pasi pjesët e tij u çliruan nga pushtimi rus., raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Më herët të mërkurën, Zelensky bëri një vizitë të befasishme te ushtarët e plagosur në një spital në rajonin lindor të Donetsk pranë vijës së frontit.
“Një udhëtim pune në rajonin e Khersonit. Fshati Posad Pokrovske, ku shumë shtëpi dhe objekte të infrastrukturës sociale u dëmtuan si rezultat i agresionit të plotë rus. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë është rivendosur, infermieria është restauruar, njerëzit po kthehen. Kam biseduar me vendasit për problemet dhe nevojat e tyre aktuale. Ne do të rregullojmë dhe rivendosim gjithçka”, ka shkruar Zelensky në Telegram.
Forcat ruse shkatërruan pjesën më të madhe të infrastrukturës energjetike në Kherson përpara se të tërhiqeshin në bregun lindor të lumit Dnieper. Muaj më vonë, të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë breshëri artilerie nga njëra anë në tjetrën, duke penguar riparimet dhe ndërprerjet e energjisë elektrike mbeten të shpeshta.
Zelensky vizitoi një nga termocentralet energjetike në rajon.
“Ne kemi konsideruar rivendosjen e furnizimit me energji elektrike në territoret e çliruara dhe riparimin e pajisjeve të shkatërruara si rezultat i bombardimeve ruse. Ne duhet të sigurojmë restaurimin dhe mbrojtjen e plotë të sektorit tonë të energjisë,” tha Zelensky.
Qyteti i Khersonit në bregun perëndimor të Dnieper ishte qyteti më i madh i pushtuar nga rusët në fillim të pushtimit të plotë të Ukrainës, por forcat ukrainase arritën ta çlirojnë atë nëntorin e kaluar dhe t’i çojnë rusët në bregun lindor të Dnieper. /FolDrejt/