Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se presidenti rus Vladimir Putin po kërkon një rrugëdalje nga lufta me vendin e tij.
Zelenskyy bëri vlerësime lidhur me luftën Ukrainë-Rusi dhe për zhvillimet lidhur me këtë si dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Bruno Vespa në programin “Porta a porta” që transmetohet në televizionin shtetëror italian RAI, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Presidenti ukrainas tha se përdorimi i armëve bërthamore taktike nga Rusia nuk do të sjellë ndonjë dobi për ata.
Duke mbrojtur idenë e tij se Putin është i vetëdijshëm se ka bërë një gabim me këtë luftë, Zelenskyy tha: “Putin kërkon rrugëdalje nga kjo luftë. Do ta kërkojë sepse ky ishte një gabim. Këtë nuk ia shpreh komunitetit të tij, por ai është i vetëdijshëm se ky është një gabim i madh. Për këtë arsye do të kërkojë rrugëdalje dhe armët bërthamore nuk janë një rrugëdalje”.
Ai theksoi se nuk e sheh të mundshme që pas Putinit në Kremlin të vijë një lider “më i ashpër”.
“Reforma më e madhe për Ukrainën është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE)”, potencoi Zelenskyy i cili shpjegoi se pavarësisht se ndodhen në luftë janë përpjekur që reformat në shtet t’i çojnë përpara.
“Nëse nuk e ndalim Putinin, do të ndodhë Lufta e 3-të Botërore, sepse kur të pushtojë shtetet Baltike askush nuk do të mund të bëjë gjë dhe të gjithë do të hynë në luftë. Italia, Franca, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, madje të gjithë anëtarët e NATO-s do të detyrohen të hyjnë në luftë për të treguar se ekzistojnë”, tha presidenti ukrainas.
Zelenskyy tha se e presin në Kiev edhe kryeministren italiane Giorgia Meloni./FolDrejt/