Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti Drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Evropë dhe Azinë Qendrore, Xiaoqing Yu, e cila shoqërohej nga Drejtori i zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.
Në takim, u fol mbi mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme, ku u përmend ndër të tjera edhe avancimi drejt integrimit në SEPA.
Duke vlerësuar bashkëpunimin me Bankën Botërore, zëvendëskryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes për projekte ekzistuese e potenciale e ku kontributi mund të jetë i qenësishëm dhe i rëndësishëm. Ai veçoi Programin e Tregtisë dhe Transportit, i cili parashihet të përmirësojë infrastrukturën dhe procedurat në pikëkalimet kufitare, si dhe të rrisë kapacitetet dhe konkurrueshmërinë e produkteve vendore, me investime në laboratore testuese e më gjerë.
U diskutua edhe ndërlidhja e Kosovës me rajonin e më gjerë dhe ngritja e përmirësimi i infrastrukturës, si katalizator për më shumë zhvillim e lehtësim të transportit.
Zëvendëskryeministri i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për bisedën, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm e të frytshëm.