Tash e sa ditë, mercenarët e Lëvizjes së Deçanit, të organizuar në lëvizje e platforma të ndryshme dhe të paraqitur me gjoja emra të mëdhenj e me pretendime për një “mision historik”, e kanë vënë në fokus historinë e ndërtimit të xhamive gjatë periudhës së Perandorisë Osmane në këto troje.

Shkruan: Ramadan Shkodra
Kjo nuk është e çuditshme. Përkundrazi, është vazhdim i një qasjeje që synon të mohojë ose të zvogëlojë çdo gjë që lidhet me kulturën, historinë dhe qytetërimin islam në hapësirat shqiptare. Për këtë mision po shërbehen me sajime, me interpretime të njëanshme dhe me teza të akademikëve rusë e serbë, të cilat u shkojnë për shtat pikërisht atyre që duan ta shkëpusin trashëgiminë islame nga historia shqiptare.
Por problemi i tyre është se xhamitë janë aty. Janë dëshmi të gjalla të historisë. Janë pjesë e kulturës dhe identitetit të këtyre trojeve.
Xhamia nuk është vet
ëm një ndërtesë ku kryhet adhurimi. Ajo ka qenë pjesë e një sistemi të gjerë shoqëror, arsimor, kulturor dhe bamirës. Rreth xhamive janë zhvilluar medrese, biblioteka, vakëfe dhe forma të ndryshme të organizimit të jetës komunitare.
Shumica e institucioneve fetare dhe shoqërore janë ngritur ose mbështetur nga familje, tregtarë, dijetarë dhe fisnikë shqiptarë. Prandaj është e papranueshme që një pjesë e kësaj trashëgimie të paraqitet thjesht si “e huaj” vetëm pse i përket periudhës osmane dhe traditës islame.
Misioni i mercenarëve për të përbaltur institucionin e xhamisë është i orkestruar, sepse roli dhe rëndësia e xhamive për historinë tonë është shumë i rëndësishëm, sikurse nuk mund të mohohet as roli dhe rëndësia e kulteve të besimeve të tjera.
Po të shikojmë me kujdes, xhamitë janë vend ku është ngjitur elita, nga kanë dalë dijetarë të shquar, ku është tubuar paria, ku është edukuar, shkolluar e organizuar populli ynë. Xhamia është pararendëse e shkollës shqipe, është pararendëse e institucioneve kulturore, arsimore, po edhe institucioneve administrative e publike. Xhamia, në misionin e saj, është institucion ku është kultivuar më së shumti rëndësia për etninë, gjuhën, shtetin e pavarësinë. Xhamia po ashtu është institucion që i parapriu dekomunizimit dhe deideologjizimit të shoqërisë. Institucion që kurrë nuk pranoi stalinizmin e monizmin e me këtë edhe vëllazërim-bashkimin jugosllav, apo proletarizimin e imponuar. Xhamia është institucion që mbështeti fuqishëm lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.
Për këto që përmenda, makineria e Millosheviqit atakoi në forma të ndryshme 218 xhami anë e mbanë Kosovës në fushatën e saj për të zhdukur identitetin e këtij populli.
Ç’të thuash më shumë për këta mercenarë, të cilët për platformë ideologjike kanë dokumentin “Sheholli”.
Në fund, xhamia në këto vise ka përballuar shumë furtuna; kalon edhe kjo.








