Dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të rikthehet nesër me raundin e ri të diskutimeve.
Në Bruksel, delegacioni i ekspertëve të Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, përgjatë dy ditëve, më 7 dhe 8 shtator do të paraqes pozicionin dhe kërkesat e Kosovës për çështjen e të zhdukurve me forcë, marrëveshjen mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave.
Këto dy të fundit do t’i paraqiten BE-së në takimin bilateral, ndërsa çështja e të zhdukurve do të jetë tema e vetme e diskutimit në takimin trelateral me drejtorin të ashtuquajturës zyre për Kosovë në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq.
Megjithatë, skepticizmi mbizotëron tek njohësit e procesit të dialogut për këtë raund të ri të dialogut.
Datën e takimeve dhe agjendën e diskutimit të raundit të ri të dialogut e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Dialogun e tillë teknik e arsyeton Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, por thotë se janë të nevojshme vetëm për çështje të caktuara dhe të cilat nuk duhet të zgjasin në pafundësi.
“Dialogu teknik vjen si përcaktim i BE-së dhe pajtueshmëri të dy palëve që niveli teknik të shkojë në dy nivele, niveli teknik apo të ekspertëve dhe niveli i lartë politik me krerët e lartë të shtetit, përkatësisht kryeministrit dhe presidentit. Besoj që Kosova, pavarësisht kërkesave për biseda teknike, ato janë të nevojshme për t’u marrë vesh për çështje të caktuara që ndoshta nuk duhet të konsumohet kohë në nivelin e lartë, por besojmë se Kosovës i duhet zgjidhje politike pasi problemi është politik…Nuk ka nevojë në pafundësi të shkohet me dialog teknik dhe tema të caktuara. Por gjithsesi Kosova duhet të jetë e përgatitur edhe në këto nivele teknike, të ketë të qarta pozicionin dhe kërkesat”, thotë Fetahu.
Më skeptik ndaj këtyre takimeve teknike shprehet njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, i cili se dialogu teknik është dashur të jetë më i avancuar në aspektin tematik dhe kohor.
Sipas tij, takimet teknike e kanë humbur kuptimin pasi nuk po ka rezultate.
Ky është takimi i dytë me radhë në nivelin e ekspertëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa, është paralajmëruar se në muajin shtator pritet të mbahen takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.