Pritet që së shpejti Ministria e Arsimit të marrë vendim se si do të fillojë viti i ri shkollor 2020/2021. Kjo ministri, tashmë ka përgatitur tre skenarë, për të cilët ekspertët mendojnë se janë të duhur, por që zbatimi i tyre do të varet nga zonat e ndryshme të Kosovës. Në rast se mësimi fillon nga distanca, ata që do të dëmtohen më shumë janë nxënësit e klasave të para, thonë ekspertët.
Skenarët të cilët ka përgatitur Ministria e Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor, janë të pranishëm edhe në shumë vende të Evropës. Kështu tha për Radio Kosovën njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, i cili theksoi se nuk ka një formulë unike për të gjithë Kosovën, pasi kjo do të varet nga rajoni dhe nga konteksti. Ai mendon se nuk ka arsye që mësimi të fillojë në distancë, por si problem e sheh mësimin në zonat urbane, i cili, sipas tij, do të duhet të organizohet i kombinuar.
“Problemi paraqitet te zonat urbane. Pra, ose duhet shkuar me një numër më të vogël të nxënësve, që implikon skenarin e dytë, pra mësimin e kombinuar, ose duhet punuar krejtësisht nga distanca në një situatë kur pandemia mund të marrë përmasa të padëshiruara.”
Por, ndryshe paraqitet situata në zonat rurale, thotë Pupovci, ku numri i nxënësve është shumë më i vogël.
“Nuk ka arsye të mendohet mësimi në distancë, sepse aty mund të mbahet edhe distanca ndërmjet fëmijëve. Në ato kushte duhet lejuar që mësimi të zhvillohet në klasë.”
Megjithatë, Pupovci mendon se mësimi nga distanca është sfidues dhe do të jetë me defekte, pasi siç tha ai, shkollat e Kosovës nuk janë të përgatitura dhe të pajisura për të zhvilluar mësim online. Ata që do të dëmtohen më shumë, janë nxënësit e ciklit të ulët dhe të grupeve sociale të margjinalizuara, tha Pupovci.
“Nëse paraqitet ndonjë situatë e mbylljes totale, siç ka qenë në muajt mars, prill dhe maj, atëherë thjesht, ata nxënës mbeten në shtëpi. Por, kuptohet se këta fëmijë do të dëmtohen shumë. Janë edhe një kategori e fëmijëve që pësojnë dëme, janë ata që vijnë nga grupe sociale të margjinalizuara, të cilët jo medoemos kanë në shtëpitë e tyre internet dhe pajisje teknologjike.”
Ndërkohë, ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka theksuar se kthimi i nxënëseve në shkolla është skenari më i preferuar, duke respektuar masat e rekomanduar nga institucionet shëndetësore. Sipas ministrisë, klasat e para dhe të dyta do të jenë të favorizuara për rikthim në objektet shkollore. Ministria e Arsimit së shpejti do t’i publikojë udhëzuesit, të cilët do të ndihmojnë drejtoritë komunale të arsimit, shkollat dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor. Skenarët parashikojnë kthimin në shkolla duke respektuar masat, mësimi i kombinuar në shkolla dhe online, si dhe mësimi online përmes platformës e-mësimi.