Trazirat e djeshme në Mal të Zi po vlerësohen se mund të ndikojnë në destabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në rast se përsëriten veprime të tilla.
Në mënyrë që Kosova të jetë sa më e përgatitur, njohës të politikës dhe të sigurisë thonë se duhet të rritet siguria kombëtare, e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO.
Sipas tyre, thirrjet e djeshme për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve që kanë humbur kontrollin, pasi që Serbia qëndron mirë ushtarakisht dhe ka një aleate Rusinë.
Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajrullahu thotë për KosovaPress se Kisha Ortodokse Serbe përgjatë dekadave ka nxitur konflikte në rajon.
“Rusia luan një rol shumë destruktiv dhe me investime minimale është duke arritur që të krijojë destabilizim maksimal. Kjo vërehet në Mal të Zi tash, por edhe më herët në Maqedoni, Kosovë, Bosnje etj., si mashë në krijimin e këtij destabiliteti dhe çorientimi të rajonit në rrugën e integrimeve euroatlantike e përdorë Serbinë, e cila është edhe aleate edhe vetë-viktimë e vullnetshme e interesave ruse në rajon… Mali i Zi, me faktin e të qenit anëtar i NATO-s, është më i sigurt dhe çështja është nëse ka këso lloj veprimesh në rajon, atëherë edhe Mali i Zi, po edhe Kosova dhe krejt rajoni mund të rrezikohen dhe mund të ketë destabilitet më të madh, të panevojshëm, kontra-produktiv sa i përket perspektivës evropiane të rajonit”, tha Hajrullahu.
Sipas tij, Kosova është e rrezikuar gjatë tërë kohës nga retorika dhe agresioni serb, i cili siç thotë ai, është “zëdhënës i politikave dhe interesave ruse”.
Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla thotë për KosovaPress, se vendet e Ballkanit nuk mund të hyjnë në një konflikt të ri mes vete, porse mund të riciklohen konflikte të ngrira, si i Bosnjës dhe ai i Kosovës.
Sipas tij, Kosova duhet të punojë në mobilizimin ushtarak dhe konsolidimin shtetëror pasi që ka të bëjë me një fuqi të madhe ushtarake si Serbia, e që ka aleate Rusinë.
Edhe drejtori ekzekutiv i “GeoPost”, Gynen Venhari, thotë për KosovaPress, se institucionet e sigurisë publike në Kosovë dhe mediat duhet të kenë kujdes sa i përket dezinformatave të ndryshme nga qarqet serbo-ruse në Ballkan, në kuadër të luftës hibride.
“Problemet e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë filluar para dy vjetëve, me tentimin për formimin e Kishës Autoqefale malazeze dhe aty kanë filluar problemet. Fatkeqësia më e madhe është që kisha dhe klerikët duhet t’i shërbejnë Zotit, ata po i shërbejnë dexhallit dhe politikave të ndryshme, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit… Forcat inteligjente ruse në bashkëpunim me Kishën Ortodokse kërkojnë destabilizimin e Malit të Zi, jo vetëm tash, por qe një kohë të gjatë… Jo vetëm Mali i Zi, por i gjithë rajoni është i rrezikuar nga ky ndikim… Probleme shfaqen edhe në shtetet të tjera dhe Kosova nuk është që mund t’iu ikë këtyre problemeve, andaj duhet të jemi mjaft të kujdesshëm sa i përket këtyre problemeve që e rrethojnë regjionin”, tha Venhari.
Portali ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës se a sheh rrezik nga thirrjet e djeshme të priftërinjve serbë “kur të kthehet ushtria në Kosovë”, por që kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.
Lidhur me zhvillimet në Mal të Zi, ku disa protestues kanë kundërshtuar shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, ka reaguar opozita.
Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.
Shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviq dhe përfaqësuesit e komunës së Cetinjës e kundërshtuan ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”. Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.
Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.
Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.kp