Shumë vizitorë të huaj që vijnë në Austri nuk do të jenë në karantinë që nga e mërkura, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë Wolfgang Mueckstein, me kusht që të kenë një certifikatë shëndetësore që vërteton se nuk janë bartës të virusit.
“Numri i të sapo infektuarve po bie në shumë vende, andaj ne mund të shpallim këtë lehtësim të masave, paralelisht me hapat tanë drejt hapjes së vendit,” tha ai.
Për të shmangur karantinën, vizitorët duhet të kenë një certifikatë vaksinimi, një test negativ të koronavirusit ose një certifikatë që janë rikuperuar nga infeksioni.
Lehtësimi i masave i referohet ardhjeve nga Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Portugalia, Spanja dhe Zvicra, raporton DPA.
Personat që planifikojnë të vizitojnë Austrinë ende duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike para se të mbërrijnë, shton agjencia gjermane e lajmeve.