Mbështetja që mori Kosova për liberalizim të vizave në seancën e fundit plenare të Parlamentit Evropian po shihet me skepticizëm në Kosovë. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se kjo është një deklaratë e përsëritshme, që nuk ka efekt të madh.
Sipas tyre, Parlamenti Evropian nuk obligon Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Evropian për një gjë të tillë, çka bënë që lëvizja e lirë e qytetarëve të mbetet peng, sidomos i vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se është e padrejtë që Kosova të jetë vendi më i izoluar i Evropës, kur dihet se kjo e fundit ka plotësuar kushtet dhe detyrat e dhëna në periudha të gjata.
“Sa i përket liberalizimit të vizave është sinjal i mirë kjo përkrahje në Parlamentin Evropian, por është një deklaratë e përsëritshme, që efektin nuk e ka të madh, pasi që deklaratat dhe rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë obligative për shtetet anëtare dhe Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Evropian. Kësisoj, liberalizimi i vizave mbetet peng, sidomos i vendeve anëtare të cilat duhet ta japin miratimin e tyre, dhe në këtë moment nuk është në dorën e Kosovës të vendosë diçka në këtë drejtim, përpos që t’i kryej detyrat dhe të vazhdojë një imazh të mirë sidomos në luftën kundër korrupsionit… Mbetemi vendi më i izoluar në Evropë dhe marrë parasysh edhe numrin e banorëve, edhe kontekstin politik e ekonomik, ka vende që janë edhe më keq e janë të liberalizuara në kuptimin e lëvizjes së lirë dhe të tregut”, thotë ai.
Profesori universitar, Afrim Hoti thotë se shqetësimet e Këshillit të Ministrave kanë kaluar secilin kusht dhe se çështja e vizave është stërvonuar.
Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lëvizjen e lirë të qytetarëve.