Në nderim të nëntetares Zarife Hasanaj dhe major Klodian Tanushit, rënë në krye të detyrës gjatë përmbushjes së misionit ushtarak në Letoni, sot Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka hapur Librin e Ngushëllimeve, ku janë nënshkruar personalitete të ndryshme nga institucionet e Kosovës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, është shprehur se ndjehen të nderuar për nderimin që përfaqësues institucionesh e personalitete të tjera i kanë bërë dy ushtarakëve.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që sot janë nënshkruar në Librin e Ngushëllimeve, për siç ka thënë dy njerëzit që dhanë jetën e tyre në interes të paqes.
“Ka qenë një ditë e ngarkuar me vizita ku personalitetet të ndryshme kanë shkruar ndjenjat e tyre për humbjen e dy ushtarakëve të rinj të Republikës së Shqipërisë. Prezent sot kanë qenë kryeministri Haradinaj, zëvendëskryeministrat, ministri i Mbrojtjes, kanë qenë të pranishëm drejtues të partive politike, kanë qenë gjithashtu përfaqësues të NATO-së, të KFOR-it, ambasadorë. Ndjejmë një vlerësim shumë të madh për këtë nder që i bëhet figurës së këtyre dy ushtarakëve, të cilët dhanë jetën e tyre në lulen e rinisë. Sinqerisht nuk gjej fjalë për t’i falënderuar të gjithë ata që kanë ardhur kanë shprehur ngushëllimet e tyre të sinqerta për këta dy njerëz që dhanë jetën e tyre për interes të paqes në lulen e tyre të rinisë”, tha Minxhozi.