Komisioni Evropian propozoi një paketë të ndihmës financiare prej 1,2 miliard euro për Ukrainën.”Komisioni propozon një paketë të re të ndihmës makro-financiare emergjente prej 1,2 miliard euro. Kjo paketë do të ndihmojë Ukrainën tani për të adresuar nevojat e saj financiare për shkak të konfliktit”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë video.
Ajo gjithashtu tha se nëse miratohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, blloku do të disbursojë menjëherë gjysmën e shumës.
“Më lejoni të jem e qartë edhe një herë: Ukraina është një vend i lirë dhe sovran. Ajo bën zgjedhjet e veta. BE do të vazhdojë të qëndrojë në krah të saj”, shtoi ajo, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Javën e kaluar, von der Leyen paralajmëroi Rusinë për “sanksione masive ekonomike dhe financiare” nëse sulmon Ukrainën.
SHBA, me aleatët e saj evropianë, kanë paralajmëruar se Rusia po përgatit skenën për një pushtim të Ukrainës duke vendosur paraprakisht mbi 100.000 trupa në kufirin e ish-republikës sovjetike, së bashku me dislokime të konsiderueshme të artilerisë dhe tankeve.
Moska ka mohuar përgatitjen për një ofensivë ushtarake, duke thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje të rregullta.
NATO filloi të rrisë praninë e saj në Evropën Lindore pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.