Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se fokusi gjatë vitit 2023 e sidomos në pjesën e dytë të këtij viti ka qenë ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend për shkak të agresionit të Serbisë.
Kështu tha Osmani, gjatë takimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, gjersa kërkoi po ashtu nga qytetarët që t’i respektojnë rregullat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave.
Osmani u shpreh se viti i ri 2024 kërkon koordinim të vazhdueshëm institucional si dhe veprime konkrete më qëllim të arritjes së objektivave dhe shënimit të sukseseve në fusha të ndryshme, për të cilat siç tha ajo “ua kemi borxh qytetarëve tanë”.
“Fokusi gjatë këtij viti, sidomos në pjesën e dytë të vitit ka qenë tek ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend nga agresioni i fqinjit tonë, Serbisë. Viti përpara kërkon koordinim të vazhdueshëm institucional dhe veprime të mëtejme konkrete më qëllim të arritjes së objektivave dhe shënimit të sukseseve në fusha të ndryshme të cilat ua kemi borxh qytetarëve tanë”, u shpreh ajo.
Osmani po ashtu i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të respektojnë rregullat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave që do të jenë nga 1 janari i viti 2024.
“Ju bëj thirrje qytetarëve të Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat në sistemin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Osmani.