Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Grandi tha se “Lufta në Ukrainë është aq shkatërruese sa që 10 milionë njerëz ose janë zhvendosur brenda vendit ose janë larguar si refugjatë”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se lufta në Ukrainë është shumë shkatërruese dhe se deri më tani ka arritur në 10 milionë numri i njerëzve që janë larguar nga Ukraina dhe që janë zhvendosur brenda vendit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi në një deklaratë në Twitter tha se “Lufta në Ukrainë është aq shkatërruese sa që 10 milionë njerëz ose janë zhvendosur brenda vendit ose janë larguar si refugjatë”.
Ai theksoi se civilët jetojnë në dhimbje pasi detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të asaj që shkakton lufta në çdo vend të botës.
Në një deklaratë të bërë dje nga OKB-ja thuhej se 3.328.692 refugjatë ukrainas kanë kaluar në vendet fqinje pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Që nga 24 shkurti kur shpërtheu lufta në Ukrainë e deri më tani mbi 2 milionë refugjatë kanë kaluar vetëm në Poloni e cila është një nga vendet fqinje.
Polonia ndiqet nga Rumania me 518.269 refugjatë dhe Moldavia me 359.056./FolDrejt/