Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ashpërsim të masave ndaj subjekteve apo individëve që tentojnë të ndryshojnë datat e skadencave në produktet që tregtojnë, si edhe burgim deri në 10 vjet të atyre që i “ngopin” me pesticide dhe element të rrezikshëm për shëndetin e konsumatorit produktet e ndryshme që mbjellin apo tregtojnë.
Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë tha se ata që kërcënojnë shëndetin tonë, do të përballen me heqjen e lirisë së ushtrimit të aktivitetit dhe lirisë individuale.
“Produktet tona bujqësore janë plotësisht të shëndetshme dhe për këtë mjafton një fakt. Në 300 mijë ton produkte bujqësore të transportuar në 2018 drejt BE-së, nuk është kthyer asnjë gjë, për shkak të cenimit të standardeve Evropiane ushqimore, por ka individë dhe subjekte që kryejnë krime kundër shëndetit, kundër njeriut. Ja kanë hedhur në 30 vjet me gjoba që s’janë asgjë, por kjo nuk do vazhdojë më kështu. Këto forca të së keqes që kërcënojnë shëndetin tonë dhe të fëmijëve tonë, do t’ju hiqet e drejta e lirisë së ushtrimit të aktivitetit dhe lirisë individuale”, paralajmëroi Kryeministri. Të mos harrojmë këtu faktin që prej disa ditësh, në emisionet investigative të njohura në televizionet shqiptare, por edhe në studio debatesh televizive është ngritur një gjendje “alarmi” pikërisht për shkak të pranisë së allçisë tek djathi apo pluhurit të tullave të kuqe tek shalqiri, që e bënte këtë të fundit të skuqej më shpejt.