12 qershori 1999, dita kur nisi zbarkimi në terren i trupave tokësore të NATO-s, është skalitur me meritë në memorien e historisë sonë kombëtare, si data e çlirimit të Kosovës.
Nga GJENERAL PIRO AHMETAJ
Paraprakisht dhe mbi të gjitha, si edhe për çdo vit, dëshiroj t’u përcjell bashkëkombësve, urimet vëllazërore për 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
12 qershori mbetet pa asnjë mëdyshje edhe një datë e përuljes kombëtare ndaj të rënëve/dëshmorëve të Atdheut si dhe e nderimit më të thellë ndaj luftëtarëve të Kosovës për sakrificat për liri dhe pavarësi në shekuj. Thënë këtë, besoj fort se në koshiencën institucionale dhe opinionin mbarëkombëtar, do të mbetet përjetësisht e kthjellet si kristal, që: “Çlirimi i Kosovës dhe realiteti i ri gjeopolitik”, nuk erdhën brenda një date të vetme (12 qershori 1999), ashtu si edhe dihet që: “çlirimi nga Pushtimi Serb nuk u arrit vetëm nga luftërat, qëndresa, si dhe sakrificat në shekuj të popullit të Kosovës martire”. Në të kundërt, për shkak të së vërtetave, shpresoj të mbetet përjetësisht e mirënjohur se që para datës 12 qershor, pra që mbas, “dështimit të diplomacisë për të shmangur luftën”, në 24 shkurt, deri në 10 Qershor 1999 (datë kur Sekretari i Përgjithshëm, z. Solana, urdhëroi ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë); SHBA dhe NATO u angazhuan për herë të parë në një fushatë ajrore ose në luftë “jashtë artikullit 5” (pa miratimin e Këshillit të Sigurimit/OKB), por duke e legjitimuar dhe faktorizuar NATO-n si “Aleancën e lirisë dhe të besimit te vlerat demokratike” në mbarë botën”.
Së dyti, po pse data 12 qershor 1999 është zyrtarizuar si data e çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbe? Tri ditë më parë, pra më 9 qershor, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Teknike Ushtarake ndërmjet palës fituese/NATO-s dhe palës humbëse/RFJ-së, e cila hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Kështu, me Marrëveshjen e Kumanovës (MK), NATO ndalonte bombardimet ndërsa Serbia detyrohej të tërhiqte të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja e Kumanovës u nënshkruan nga Gjenerali mirënjohur anglez, Jackson, komandanti i parë i KFOR/NATO, ndërsa nga Serbia ish-shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneral Pavkociç, më vonë i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Për hatër të së vërtetës, duhet të shtojmë se në Kumanovë nuk kishte as palë nënshkruese dhe as prezent, përfaqësues ushtarakë të UÇK-së. Përkundër MK, vendosi shkrirjen e UÇK dhe shndërrimin në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). E thënë më shkurt, më 12 qershor 1999, nisi zbarkimi i trupave të këmbësorisë së NATO-s në Kosovë, ndërsa dy ditë më parë (10 qershor) Këshilli i Sigurisë së OKB-Së, kishte miratuar Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. E parë nga ky këndvështrim, 12 qershori, jo vetëm simbolizon datën e çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë, por gjithashtu meriton të skalitet përjetësisht në memorien historike edhe si data e mirënjohjes kombëtare ndaj fuqisë Ushtarake të Aleancës Transatlantike (USA/NATO) si dhe vlerave perëndimore.
Së treti, pse humbja e luftës nga Rusia, rreshtimin/vëtë-shpërdorimi nëse “partneritetin special” të Beogradit Zyrtar, e gjej si rrezik ndaj, paqes dhe stabilitetit demokratik në vendet e Rajonit, si dhe interesave të NATO-s, SHBA & BE, por dhe si një oportunitet strategjik ndaj interesave kombëtare të RSH? Pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit, duhet thënë se, Rusia – Putiniste keqdështoi për të ndezur një front të ri lufte duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e politikanëve të diskretituar, interesat e zyrtarëve të korruptuar si dhe ekstremistët antiperëndimorë për të ricikluar oscilacionet e Beogradit zyrtar duke kërcënuar “deri me agresion ushtarak nën inspektimin e Ambasadorit Rus në Serbi…!!” jo vetëm sovranitetin territorial të Kosovës, por edhe prezencën e shtuar të NATO/KFOR-it me mision në terren?! Po ashtu edhe trimërimin mbas lufte të Z. Vuèiæ mbi: “Kufijtë e rinj shtetëror në Ballkan dhe(mos) njohjen e Kosovës”, kurrsesi nuk mundet ta trembin fuqinë e sprovuar (1999!) të NATO-s, por vetëm minojnë dialogun dhe rrezikojnë axhendën e integrimit të Serbisë drejt BE.
Prandaj, më duhet ta përsëris fort: “Për sa kohë të ketë prezencë të SHBA në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, e cila në të njëjtën kohë është nën përgjegjësinë e NATO-s, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë, mbetet një mision tërësisht i pamundur”. Ndërsa po ashtu, për sa riciklimin e rrënjëve të destabilitetit në Veri të Kosovës dhe përqasjen e “pakonsultuar me aleatët strategjikë, SHBA/NATO/BE) të qeverisë Kurti” nuk mundet të mos shpreh keqardhjen dhe shqetësimin për mungesën e “sensit të mirënjohjes dhe të intuitës së konsultimit dhe bashkëpunimit euroatlantik [USA/NATO/UK/EU)”, si dhe fatkeqësisht, për riciklimin e populizmit, patriotizmave dhe sovranizmave folklorike të PM-Kurti si dhe tjerë aktorë të Prishtinës Zyrtare.
Së katërti, duhet thënë se megjithë përpjekjet dhe progresin në 24 vjet, mbetet ende shumë për të bërë nga të dy vendet sovrane (Serbia dhe Kosova). Gjithsesi, përkundër riciklimit të klimës/rrënjëve të konfliktit besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve, interesave të shoqërive edhe në 6 vendet e Ballkanit ende të pa integruara në BE. Nga ana tjetër, historia botërore e mbas-konflikteve na ka mësuar, se marrëveshjet e Paqes dhe Stabilitetit (me çdo lloj emërtimi) nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar themelet e mirëbesimit reciprok. Krimea, është shembull i gjallë, ku arritjet nga Marrëveshja e Paqes-2014, po shpaguhen me gjakun e qytetarëve Ukrainas dhe Rusë.
Së pesti, me kapacitetin e një eksperti, me eksperiencë në çështjet e sigurisë kombëtare, Rajonit, NATO-s etj., do sugjeroja aktorët dhe strategjistët/ kolegët në Uashington dhe Bruksel, që perspektivën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ta parakushtëzojnë me vetëm dy Masa të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi dhe Prishtina Zyrtare të “imponohen nga USA/NATO/BE” se: (1) do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake (me kapacitete ushtarake, Mig, Raketa, Tanke, etj. deri në nivelin që reciprokisht të mos kërcënojnë integritetin territorial); (2) nuk do të vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë shtetërore mes dy vendeve sovrane, si dhe këto dy kushte të monitorohen nga USA/NATO/ BE, të cilat mbeten faktor kritik për paqen dhe axhendën e integrimit të rajonit.
Nga ana tjetër, do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët politikë dhe shtetërorë të Prishtinës që: “marrëzinë e kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës, ndaj prezencës së NATO-s, SHBA dhe vlerave perëndimore”, kurrsesi të mos i konsiderojnë vetëm si rrethanë e favorshme, por një sfidë shtetërore dhe përgjegjësi zyrtare për të zhvilluar Masat e Mirëbesimit Reciprok në Kosovën moderne (përtej prezencës së NATO-s që sigurisht nuk do të jetë e përjetshme…), ku mbi të gjitha qytetarët, pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike, të garantohen si të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatore në kontribuuese për paqen, stabilitetin demokratik dhe për integrimin në NATO dhe BE!
Në të njëjtën kohë, do të sugjeroja faktorët institucionalë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një Platforme Strategjike: “Dy Shtete një Komb” dhe atij “Smart/mençur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, duke garantuar SHBA dhe NATO se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit. Në përmbledhje, 12 qershori mbetet jo vetëm një ngjarje e lavdishme e çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë por edhe një datë për të na kujtuar neve si Komb që Aleanca Transatlantike (USA/ NATO/BE) e meritojnë mirënjohjen në përjetësi nga mbarë Shqiptarët. Me këtë rast, rikonfirmoj se si edhe në mbi 35 vjet në fushën e sigurisë kombëtare & NATO-s: “Mbetem ushtar i përkushtuar dhe i përulur i atdheut, për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave Kombëtare në Rajon, Mesdhe dhe më gjerë”.
* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut; Anëtar i Bordit “Istrael House”, si dhe Ish: Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ ShShPFA, Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO.