Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë kanë arrestuar sot 13 persona të akuzuar si pjesë e një karteli që merrej me kontrabandën ndërkombëtare të drogës, transmeton Klix, përcjell Fol Drejt.
“Karteli më i madh i drogës në Ballkan praktikisht u shkatërrua në operacionin e sotëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë, i cili përfundoi me arrestimin e 13 të dyshuarve për kontrabandë ndërkombëtare të drogës”, tha kreu i Drejtorisë së Policisë Kriminale, Ninoslav Cmoliq.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, Cmoliq saktësoi se ishte një kartel pas dërgesave të kokainës nga Amerika e Jugut, të cilat, së bashku me logjistikën në vendet e Afrikës Perëndimore, synoheshin për tregjet në vendet e Evropës Perëndimore si destinacionin e tyre përfundimtar.
Sipas tij, të paktën shtatë tonë kokainë, të kapur gjatë vitit 2020, lidhen me arrestimet e sotme, nga të cilat pesë tonë u kapën në Aruba dhe një pjesë në Belgjikë dhe Holandë.
Duke folur për të arrestuarit, Cmoliq tha se në mesin e tyre janë organizatorët, inicialet e të cilëve janë MS dhe ML, si dhe 11 drejtues të celulave të pavarura brenda kartelit.
Ai theksoi se aplikacioni “Skaj” ishte kyç për zbulimin e 13 të dyshuarve për kontrabandë ndërkombëtare të kokainës.
“Aksioni është kryer që nga momenti i shkarkimit të aplikacionit Skaj në vitin 2021 dhe është kryer në fshehtësi deri më sot kur është zbatuar”, tha Cmoliq.
I pyetur nëse të arrestuarit kanë lidhje me klanin kriminal të Darko Shariqit apo me “klanin kavak”, Cmoliq është përgjigjur se hetimet që janë duke vazhduar do ta tregojnë këtë, duke theksuar se sot në Serbi janë arrestuar shitësit më të mëdhenj të kokainës në Ballkan. /FolDrejt/