Vdekja e punëtorëve në vendin e tyre të punës është një dukuri që përveç shqetësuese, ka qenë që disa vite aktuale në Kosovë.
Rasti i fundit ka ndodhur të martën në Prishtinë, ku në rrethana tragjike ka vdekur një punëtor në një ndërtesë, shkruan lajmi.net, përcjell FolDrejt.com.
Sipas Kryetarit të Sindikatës të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemit, duke e llogaritur rastin e së martës, që nga fillimi i muajit janar të 2021, janë shënuar gjithsej 13 vdekje, ku shtatë prej tyre kanë qenë punëtorë të ndërtimtarisë dhe pesë prej tyre janë të profileve të ndryshme.
Azemi u shpreh se viti 2018 është viti me rekordin më të lartë të numrit të vdekjeve të punëtorëve në punë, me gjithësej 27, ndërsa sipas tij, 2019 ka shënuar 17 vdekje të punëtorëve dhe 2020 me gjithësej 15 punëtorë.
Azemi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të krijohet një fond i veçantë për të gjithë punëtorët e sektorit privat.
“Sepse për vdekje të ndryshme Qeveria e Kosoves po financon me 5 mijë e 10 mijë e 15 mijë euro por për punëtorët të cilët po humbin jetë në vendin etyre të punës Qeveria e Kosovës jo që nuk ka dhimbje për ta por edhe në atë rast nuk kthejnë kokën se çka po ndodhë absolutisht me ta”, tha Azemi.
Sipas Azemit, kërkesa primare është krijimi i një fondi që familja mos ta ketë barrë ceremoninë e varrimit.