Gjenocidi, krimet çnjerëzore e spastrimi etnik nga ushtria kriminale serbe në luftën e vitit 1998-1999 në Kosovë janë përcjellë edhe me gjenocidin kulturor. Gjenocidi nga regjimi serb është kryer në disa faza nga 1980 e deri më 1999. Gjenocidi e kulturocidi kishte nisur me helmimin e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë e kishte vazhduar deri te shkatërrimi dhe djegia shkollave.
“Të merresh me të kaluarën do të thotë të merresh me të tashmen. Është të merresh me të ardhmen”, shkruan Adama Dieng, Këshilltar Special i OKB-së për Parandalimin e Gjenocidit.
Të dhënat e OKB-së shkruajnë se: “Gjenocidi është një krim. Gjenocidi u përkufizua si krim sipas të drejtës ndërkombëtare në Konventën e Gjenocidit më 1948.
Konventa e quan krim kryerjen e gjenocidit, planifikimin ose komplotin për të kryer gjenocid, nxitjen ose shkaktimin e njerëzve të tjerë për të kryer gjenocid ose bashkëpjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve për të kryer ndonjë akt gjenocidi. Konventa hyri në fuqi dhe u bë ligj ndërkombëtar më 12 janar 1951”.
Sipas OKB-së: Gjenocidi nuk është diçka që ndodhë brenda natës ose pa paralajmërim. Është në fakt një strategji e qëllimshme.
Pikërisht autoritetet serbe me polici e ushtri planifikuan, organizuan dhe përdorën strategji të qëllimshme për të kryer gjenocid kundër shqiptarëve në Kosovë dhe kulturocid për ta zhdukur trashëgiminë historike, gjuhën shqipe dhe arsimimin shqiptar. Strategjia serbe nga Beogradi synonte ta zhdukte kujtesën kolektive të shqiptarëve të Kosovës dhe ta godiste ndjenjën kombëtare. Gjenocidi e kulturocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës, është manifestuar në vijimësi përmes dhunës brutale nga regjimi serb, shkruan Fol Drejt.
Represioni e masa të dhunshme i kanë përcjellë shqiptarët përgjatë historisë. Ish-okupatori serb ka përdorë çdo element të mundshëm gjenocidi në trojet shqiptare e kundër shqiptarëve.
E para: U bë helmimi masiv i nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë në objektet shkollore. E dyta: U përjashtuan personeli mjekësor nga puna. E treta: Doli ligji që i largonte dhe i përjashtonte personelin arsimor nga puna. E katërta: U ndalua mësimi shqip në të gjitha nivelet e institucioneve arsimore. E pesta: U mbyllën shtypshkronjat që botonin tekste shkollore në gjuhën shqipe. E gjashta: Filloi largimi i nxënësve dhe mësimdhënësve në mënyrë të dhunshme nga shkollat. E shtata: Nxënësit e personeli arsimor burgoseshin e torturoheshin. E teta: Filloi mbyllja e institucioneve shkollore. E nënta: Filloi intervistimi, gjykimi, torturat e burgosja e nxënësve dhe mësuesve. E dhjeta: Filloi persekutimi e vrasja e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë. E njëmbëdhjeta: shkollat shqipe u shkatërruan e u dogjën gjatë luftës.
Vendimet e agresionit serb
Deklarata universale për të drejtat e njeriut thotë: “Çdo njeri ka të drejtë të arsimohet. Arsimimi duhet të ushtrohet lirshëm, sidomos në shkollat fillore dhe në fazat përgatitore. Shkolla fillore duhet të jetë e obligueshme. Arsimi profesional dhe teknik duhet të jetë i përgjithshëm dhe arsimimi i lartë duhet të bëhet në mënyrë të barabartë dhe në bazë të suksesit”.
Kjo nuk ndodhi me fëmijët shqiptarë në Kosovë gjatë etapave okupuese. Arsimimi shtypej në çdo aspekt dhe me të gjitha forcat nga ana e ish-okupatorit serb që përmes policisë e ushtrisë me artileri ushtarake vepronte në territorin e Shqipërisë Etnike në Kosovë.
Më 1987 filluan të shpeshtohen aktet makabre nga reprezaljet serbe. Në të njëjtin vit u helmuan nxënësit në shkolla. Dy vite më vonë, më 1989, pati edhe dy herë helmime kundër nxënësve të Kosovës. Në pranverën e vitit 1990, u helmuan masivisht mbi dhjetë mijë nxënës shqiptarë në objektet shkollore nga shërbimet sekrete ushtarako-policore me direktiva nga Beogradi, qytet jashtë Republikës së Kosovës.
Tre muaj më vonë, në korrik të vitit 1990, kuvendi serb miratoi ligjin për marrëdhëniet e punës në rrethana të veçanta. Me këtë ligj përjashtoheshin punëtorët shqiptarë nga vendi i punës bazuar në kritere arbitrare. Përmes këtij ligji synohej që të mbesin në vendin e punës, shqiptarët duhej ta nënshkruanin dokumentin përmes të cilit vërtetohej se pajtoheshin me politikat e masat serbe ose siç njihej planprogrami serb. Këtë dokument shqiptarët nuk e nënshkruan dhe nuk e pranuan kurrë.
Gjatë vitit 1991 u ndalua mësimi dhe arsimimi në gjuhën shqipe në të gjitha institucionet arsimore në Kosovë. Shtypshkronjat që botonin tekste shkollore në gjuhën shqipe u mbyllën. Në shtator nxënësve e personelit arsimor iu ndalua hyrja në shkolla. Në këto rrethana rreth 400 mijë nxënës nuk shkuan në shkollë për dy vite. Nga situata e krijuar u organizua sistemi paralel ku procesi mësimor u mbajt në shtëpitë-shkolla.
Këto vendime në mesin e shumë vendimeve të tjera përmes administrimit serb e themeluan bazamentin e një sistemi aparteidi, shtypës e represioni. Ky sistem shtypte të drejtat individuale e kolektive të shqiptarëve.
Shkollat e djegura në Kosovë
Sipas të dhënave nga organizata ndërkombëtare UNICEF, në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë janë shkatërruar e djegur 132 shkolla nga ushtria kriminale serbe. Të dhënat e tjera të pasluftës nga UNICEF-i faktojnë se janë dëmtuar edhe 873 shkolla të tjera.
Në vitin 1991 kishte filluar mbyllja e shkollave, ndërsa në vitet 1998-1999 shkollat shqipe janë shkatërruar e djegur me artileri ushtarake nga ushtria e grupet paramilitare serbe. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të publikuara në dhjetor të vitit 2001 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 1992, rreth 23 mijë mësimdhënës shqiptarë figuronin të larguar e të përjashtuar nga institucionet arsimore.
Është e mundur që numri i shkollave të shkatërruara e të djegura të jetë edhe më i madh, mirëpo çlirimi e gjeti Kosovën në mes rrënojash në të gjithë vendin, andaj edhe faktimi në përpikëri e saktësi ka qenë i vështirë. Drejtoritë e Arsimit në Komunat e Kosovës, Ministria e Arsimit dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës akoma janë duke grumbulluar të dhëna për të arritur tek shifrat e sakta rreth fshatrave dhe qyteteve përveç gjetjeve që tashmë janë faktuar e dokumentuar.
“Abetarja e vogël përvëlonte më fort se zjarri. I bënte shqiptarët shqiptarë”, shkruan Mitrush Kuteli në veprën e tij të titulluar “Mërgim”. Përmes kësaj fraze Kuteli përçon mesazhin se abetarja e gjuha shqipe janë elementet përbërëse për ta mbajtur Kombin Shqiptar në këmbë, e në anën tjetër halë në sy për ish-okupatorët.
Shqiptarët përherë kanë pasur etje për dije, shkollim, arsimim dhe edukim. Kushtet e vështira ekonomike, infrastruktura e dobët rrugore e shkollore dhe luftërat që i kanë goditur historikisht, kanë shkaktuar dëme të mëdha në mesin e popullsisë shqiptare në Kosovë. Para viteve të ’90-ta nëpër fshatra kishte shkolla për të mësuar vetëm deri në klasën e katërt. Që nxënësit e Kosovës të vazhdonin shkollimin e mëtejshëm duhej të udhëtonin nga 13 deri në 16 kilometra.
Pavarësisht këtyre faktorëve dhe në mes të terrorit, shqiptarët gjithmonë janë revoltuar dhe kanë gjetur alternativa për t’u shkolluar në gjuhën autoktone shqipe. “Gjuha e Shqiponjave” siç shkruan Stephen Schwartz në librin e tij “Kosova – prejardhja e nji lufte”, arriti të përhapet anembanë trojeve shqiptare.
“Ta shpiejmë gjuhën përpara, ta zgjerojmë e ta zbukurojmë me shkronja e me dituri, të hapim shkolla, të mësojmë, të mos mbesë ndonjë shqipëtar i paditur”, këtë porosi të kahmotshme të Sami Frashërit, shqiptarët arritën ta praktikojnë ndër vitet më të errëta për gjuhën shqipe. Shtëpitë-shkolla ishin bazamenti i ruajtjes së gjuhës shqipe dhe pika themeltare vijuese për Republikë si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve ilegale serbe.
Sipas të dhënave nga vitet e atëhershme, më 1994 rreth 200 shtëpi me rreth 600 dhoma ishin shndërruar në shkolla. Më shumë se 300 mijë nxënës të shkollave fillore dhe afër 60 mijë nxënës të shkollave të mesme kanë ndjekur mësimet në shtëpitë-shkolla të viteve ’90-ta.
Mirëpo, të dhënat e institucioneve të Republikës së Kosovës së fundi janë duke i dokumentuar me dëshmi shtëpitë-shkolla nga periudha 1990-1999. Ministria e Arsimit në vitin 2019, duke u mbështetur në aspektet ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lëshoi një vendim administrativ dhe i obligoi Drejtoritë e Arsimit nëpër komuna që t’i verifikojnë shtëpitë-shkolla për periudhën 1990-1999 bazuar në dëshmitë e shkollave dhe pronarëve që kanë lëshuar shtëpitë.
Sipas këtyre të dhënave, numri i shtëpive-shkolla është më i madh se sa numri që figuron nga të dhënat e publikuara gjatë periudhës 1990-1999. Arsyeja pse statistikat e kohërave të tanishme janë më të mëdha se statistikat e kohërave nga vitet e ’90-ta, është për faktin që në atë periudhë Kosova ka qenë në okupim dhe shqiptarët që janë dalë hapur për shtëpitë-shkolla, janë arrestuar nga regjimi serb e më pas janë burgosur e torturuar nëpër stacione të policisë ilegale serbe. Duhet kujtuar që shtëpitë që janë lëshuar për shkolla kanë qenë të madhësive të ndryshme. Ka pasur shtëpi ku mësimi është mbajtur në më shumë se katër dhoma, mirëpo ka pasur edhe shtëpi me vetëm dy dhoma mësimi.
Zonat më të prekura: Suhareka
Suhareka është njëra nga zonat më të prekura nga lufta. Informacionet nga ky qytet bëjnë me dije se në Therandë e fshatrat e saj janë shkatërruar e djegur 15 shkolla nga ushtria serbe. Shtatë shkollat e shkatërruara janë: Shkolla Fillore “Hasan Prishtina” në Semetisht me 7 dhoma mësimi. Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Ramë Bllaca” në Javor me 4 dhoma mësimi. Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Abdullah Shabani” në Dargaqinë me 4 dhoma mësimi. Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Pasho Vasë Shkodrani” në Tërrnje me 5 dhoma mësimi. Shkolla Fillore “Lidhja e Prizrenit” në Budakovë me 7 dhoma mësimi. Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Edit Durham” në Delloc me 4 dhoma mësimi dhe Shkolla Fillore “Dituria” në Samadrexhë me 5 dhoma mësimi.
Shkollat e djegura janë: Shkolla Fillore “Vëllezërit Frashëri” në Bukosh me 3 zyre dhe 4 dhoma mësimi. Shkolla Fillore “Dëshmorët e Tivarit” në Reqan, objekti i së cilës është granatuar disa herë deri në djegie. Shkolla Fillore “Ramë Bllaca” në Bllacë. Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Abdullah Shabani” në Greiqevc, objekti i së cilës është granatuar disa herë deri në shkatërrimin dhe djegien e saj. Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Vëllezërit Frashëri” në Savrovë. Shkolla Fillore “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq me 3 zyre dhe 3 dhoma mësimi. Shkolla Fillore “28 Nëntori” në Dobërdelan dhe Shkolla Fillore “Kongresi i Manastirit” në Studençan.
Vushtrria
Të dhënat nga Vushtrria tregojnë se gjatë luftës 1998-1999 disa nxënës e mësimdhënës janë persekutuar, plagosur e vrarë. Sa i përket dëmeve në objektet shkollore, thuhet që pas vitit 1990 janë mbyllur tri shkolla. Bëhet fjalë për Gjimnazin “Eqrem Qabej”, Shkollën e Mesme Teknike “Marin Beçikemi” dhe Shkollën Fillore “Mustafë Venharei. Gjatë luftës 1998-1999, 20 shkolla të plota fillore, 21 paralele të ndara dhe dy shkolla të mesme janë dëmtuar nga granatimet, ndërsa 10 shkolla fillore janë djegur tërësisht. Sipas burimeve nga Vushtrria, në Vushtrri në vitet ’90-ta kanë qenë 49 shtëpi-shkolla që i kanë ndjekur mësimet nxënësit shqiptarë.
Podujeva
Podujeva ishte një ndër të parat komuna ku filloi largimi i nxënësve e mësimdhënësve shqiptarë nga shkollat të cilat filluan të mbylleshin. Në tri shkolla të mesme nxënësit u dëbuan nga bankat e shkollës. Nga 13 dhjetori i vitit 1990, rreth katër mijë nxënës e 267 mësimdhënës u përjashtuan nga shkollat. Ky ishte vendimi i sekretarit për veprimtari shoqërore në Podujevë.
Vendimi ishte ndërmarrë kundër dy shkollave të mesme: “Ghuro Gjakoviq” dhe “8 Nëntori”, ku bënte pjesë edhe paralelja e ndarë në Lluzhan. Vendimi ishte nënshkruar Vučeta Dubrašinović. Objekti i shkollës “Isa Boletini” ishin mbushur me refugjatë serbë nga Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia. Bazuar në të dhënat e Komunës së Podujevës, në Podujevë dhe fshatrat e saj kishte 23 shtëpi-shkolla me 260 deri në 290 mësimdhënës.
Klina
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Arsimit nga Komuna e Klinës, shkolla e parë në Klinë që është mbyllur ishte gjimnazi “Luigj Gurakuqi” në vitin 1991. Gjatë verës mësimdhënësve nga Klina u ishin dhënë vendimet për largim nga puna prej autoriteteve ilegale serbe. Gjatë vitit shkollor 1991/1992, nxënësit e mësimdhënësit u ndaluan me dhunë të hyjnë në oborret shkollore nga forcat e armatosura serbe. Në Komunën e Klinës një shkollë është shkatërruar e një tjetër është djegur e tëra. Objekti i shkollës në Gllarevë atëkohë “Ramiz Sadiku”, tash “Dëshmorët e Kombit”, është rrafshuar i tëri. Shkolla Fillore në Ujmir e quajtur atëkohë “Zenel Hajdini” e tash “Ali Krasniqi”, është djegur tërësisht, duke i mbetur në këmbë vetëm muret prej guri.
Në kohën kur mësimi shqip u ndalua, klinasit u organizuan që mësimet për nxënësit t’i organizonin në shtëpitë-shkolla, ndërsa mësimdhënësit shqiptarë punonin pa paga sepse nuk i kishin pranuar planprogramin serb. Nga Komuna e Klinës informojnë se në Klinë 627 mësimdhënës ishin përjashtuar nga puna prej regjimit serb, 232 mësimdhënës nga qyteti dhe 395 nga fshatrat.
Kamenica
Nxënësit e mësimdhënësit e Kamenicës janë dëbuar nga shkollat, janë gjykuar e helmuar, rrahur e torturuar dhe në fund janë burgosur nga ushtria e policia serbe në vitet ’90-ta. Demonstratat e vazhdueshme të shqiptarëve për Liri, Drejtësi, Pavarësi e Republikë në periudhën 1980-1989, u përcollën me akte të dhunshme edhe në Kamenicë në vitet e ’90-ta.
Bazuar në dokumentet zyrtare të Komunës së Kamenicës, u larguan nga puna 24 mësimdhënës shqiptarë për shkak të bindjeve politike. Gjithashtu, u përjashtuan edhe 22 nxënës nga bankat e shkollës. Dhuna u shtua kur u burgosën 4 profesorë e 7 nxënës, derisa 8 profesorë e 23 nxënës janë rrahur e maltretuar fizikisht. Veç këtyre, edhe 11 profesorë të tjerë dhe 22 nxënës janë marrë në biseda informative.
Viti shkollor 1991-1992 në Kamenicë kishte 48 paralele me 1135 nxënës, të cilët vitin shkollor e kishin filluar më 3 shkurt 1992 pasi nxënësit shqiptarë janë dëbuar nga objektet shkollore. Pas dëbimit, procesi mësimor kishte vijuar në shtëpitë-shkolla në Kamenicë, në ambulancën e fshatit në Koretin dhe në Topanicë, kurse për paralelet e ndara fizike në Hogosht dhe Rogaçicë, mësimi ishte zhvilluar në lokalet e Shkollës Fillore “Skënderbeu” dhe “Metush Krasniqi”.
Në mars të vitit 1990 u helmuan nxënësit shqiptarë në objektet e dijes. Sipas të dhënave nga institucionet komunale në Kamenicë janë helmuar 45 nxënës të gjimnazit, duke pësuar trauma të rënda shëndetësore. Më 1 janar 1991, ishin ndërprerë pagat për mësimdhënësit shqiptarë. Në mars të vitit 1991, ishin vendosur masat e dhunshme të regjimit serb. Në 26 gusht të vitit 1991, mësimdhënësve shqiptarë u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës. Më 9 maj 1992, gjimnazi “9 Maji” u emërtua “Ismail Qemali”. Më 1 shtator 1991, stafi i shkollës dhe nxënësit u dëbuan nga shkollat, derisa mësimi kishte filluar më 19 tetor 1992 në shtëpitë-shkolla.
Më 15 shkurt 1991, me vendim të gjykatës filloi procedura gjyqësore kundër drejtorit të gjimnazit “Ismail Qemali”, Rexhep Vranja. Më 6 qershor 1991, me vendim të komunës një etnike nr. 02-K95, drejtori Vranja u shkarkua sepse nuk kishte pranuar të punohej me planprogram serb. Vranja ishte përballur me regjimin okupues serb në 9 seanca gjyqësore. Në Luftën Çlirimtare më 1998-1999, e dhanë jetën për lirinë e Kosovës tre profesorë dhe katër nxënës nga Kamenica.
Elez Hani
Në Komunën e Elez Hanit nxënësit e Shkollës së Mesme “Skënderbeu” në vitet 1991-1992 mësimet i morën në objektin e Shkollës Fillore “Tefik Çanga”, mirëpo sikurse në shumë vende të tjera të Kosovës, edhe nxënësit e mësimdhënësit e Elez Hanit ishin dëbuar me dhunë nga objektet shkollore prej forcave serbe. Kështu procesin mësimor e kishin vazhduar në shtëpitë-shkolla.
Vitia
Të dhënat nga Drejtoria e Arsimit nga Komuna e Vitisë bëjnë me dije se në vitet ’90-ta në Viti nga regjimi serb janë mbyllë dy shkolla. Bëhet fjalë për dy shkollat e qytetit: Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” dhe Shkollën e Mesme Teknike. Në të tilla vështirësi e në mes të terrorit, vitiasit nga juglindja e Kosovës procesin mësimor e kanë organizuar nëpër shtëpi.
Ferizaji
Në rajonin e Ferizajit në vitet ’90-ta mësimdhënësit janë burgosur, keqtrajtuar, rrahur e torturuar nga policia serbe. Në të njëjtat periudha nxënësit e mësimdhënësit janë përjashtuar, ndërsa objektet shkollore janë mbyllur në vazhdimësi. Gjatë luftës në vitet 1998-1999, objektet shkollore janë shfrytëzuar për baza ushtarake të ushtrisë serbe dhe më pas janë dëmtuar e djegur nga ushtria serbe.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Arsimit nga Ferizaji, në Shkollën Fillore “Jeronim De Rada” në Ferizaj, mësimdhënësi Bardh Frangu ka qenë i burgosur dhe i maltretuar nga forcat serbe. Edhe dy mësimdhënës të tjerë, Emrush Frangu e Milazim Lubishtani, janë rrahur e keqtrajtuar nga policia serbe. Nxënësit e mësimdhënësit e tjerë janë përjashtuar e shkolla është mbyllur.
Shkolla Fillore “Naim Frashëri” në Zaskok ka qenë e mbyllur nga 1 shtatori 1991 e deri më 20 janar 1992. Në Shkollën Fillore “Konstandin Kristoforidhi” në Nerodime është përjashtuar drejtori, 22 mësimdhënës, një punëtor i administratës, katër punëtorë ndihmës dhe 318 nxënës. Ndërsa, shkolla ka qenë e mbyllur nga viti 1990-1999. Në Shkollën Fillore “Kemajl Hetemi” në Rahovicë janë përjashtuar të gjithë nxënësit e personeli arsimor, ndërsa shkolla ka qenë e mbyllur kohë pas kohe nga viti 1990-1999.
Në fshatin Prelez të Jerlive, Shkolla Fillore “Ismail Qemali”, është mbyllur nga 1 shtatori i vitit 1990 e deri më 21 shtator 1990. Në Shkollën Fillore “Imri Halili” në Gaçkë është përjashtuar një mësimdhënës e shkolla ka qenë e mbyllur në vitet 1991-1992. Në Zllatar, në Shkollën Fillore “4 Prilli” janë përjashtuar 20 mësimdhënës e shkolla është mbyllur në vitin 1992. Shkolla Fillore “Visar Dodani” në Varosh ka qenë e mbyllur në vitet 1998-1999. Shkolla Fillore në Tërrn ka qenë e mbyllur në gjysëm vjetorin e parë në vitet 1991-1992, ndërsa Shkolla Fillore “Ramadan Rexhepi” në Sojevë ka qenë e mbyllur në vitet 1998-1999.
Në Shkollën Fillore “Ali Hadri” në Mirash janë përjashtuar i gjithë personeli arsimor dhe shkolla ka qenë e mbyllur kohë pas kohe në periudhën 1989-1999. Nga Shkolla e Mesme Teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj janë përjashtuar 59 mësimdhënës e shkolla është mbyllur nga viti 1990 e deri më 1999. Në Shkollën Fillore “Halit Ibishi” në Cërnillë në vitet ’90-ta janë përjashtuar 17 mësimdhënës, kurse më 22 mars 1999 shkolla është mbyllur. Edhe në fshatin Slivovë, Shkolla Fillore është mbyllur.
Nga Shkolla Fillore “Liman Rekaj” në Prelez të Muhaxherëve janë përjashtuar 26 mësimdhënës dhe shkolla është mbyllur gjatë viteve 1993-1994, ndërsa gjatë luftës shkolla është dëmtuar. Në Shkollën Fillore “Bilall Shala” në Lloshkobare janë përjashtuar gjithë personeli arsimor, gjithsej 87. Nga 23 marsi i vitit 1999 e deri më 12 qershor 1999 shkolla është mbyllur dhe është shfrytëzuar si bazë ushtarake nga ushtria serbe, ku për rrjedhojë edhe është dëmtuar. Në Shkollën Fillore “Skënderbeu” në Jezerc janë përjashtuar 5 mësimdhënës dhe shkolla ka qenë e mbyllur për gjashtë muaj më 1991, ndërsa gjatë luftës është djegur e tëra. Edhe Shkolla Fillore “Jeta e Re”në Greme është djegur gjatë luftës.
Kaçaniku
Sikurse në komunat e tjera në vitet e 90-ta, edhe në shkollat e Kaçanikut me rrethinë janë përjashtuar mësimdhënësit nga objektet shkollore prej regjimit serb. Sa i përket dëmeve, bazuar në të dhënat nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kaçanikut thuhet se janë djegur tri shkolla fillore. Bëhet fjalë për Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në fshatin Kotlinë, Shkollën Fillore “Dituria” në Ivajë dhe Shkollën Fillore “Jusuf Gërvalla” në Biçec. Prej vitit 1990 e deri më 1999, në Kaçanik sikurse në zonat e tjera të Kosovës është organizuar mësimi më shtëpitë-shkolla. Të dhënat e raportit nga komisioni për idenfikimin dhe verifikimin e shtëpive-shkolla 1990-1991 e deri më 1998-1999 në Kaçanik, faktojnë se mësimi është mbajtur në 27 shtëpi-shkolla.
Juniku
Edhe Juniku që në vitet ’90-ta ishte cak i kulturocidit nga Serbia. Edhe në këto dy qytetet dhe fshatrat e saj aparteidi serb detyroi që të mbyllen shkollat. Në të njëjtat rrethana, junikasit e organizuan procesin mësimor në shtëpitë-shkolla. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Junikut, nga viti 1990 e deri më 1999 në Junik shqiptarët i lëshuan 62 shtëpi për vijimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe.
Istogu
Edhe në Istog nga viti 1991 deri më 1999 janë lëshuar mbi 200 shtëpi për t’u mbajtur procesi mësimor bazuar në burimet informative nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Istogut. Përveç Istogut ku janë lëshuar shtëpitë-shkolla, fshatrat ku janë dhënë shtëpi për mbajtjen e mësimit janë: Uçë, Gurakoc, Cërcë, Shushicë, Vrellë, Tomoc, Studenicë, Trubuhovc, Saradan, Rakosh, Llugë dhe Muzhevinë.
Gjakova
Dëshmitë nga Drejtoria e Arsimit në Gjakovë për “Fol Drejt” kanë dhënë informacione se në këtë vend dhe fshatrat e këtij qyteti janë shkatërruar e djegur 13 shkolla. Këto shkolla janë: Shkolla Fillore “Vëllazërimi” në Cërmjan. Shkolla Fillore “Dëshmorët e Kombit” në Jabllanicës. Shkolla Fillore “Ferhat Binishi” në Zhabel. Shkolla Fillore “Sylejman Vokshi” në Smolicë bashkë me dy paralelet në Nec dhe Shishmon. Shkolla Fillore “Jahë Salihu” në Molliq. Shkolla Fillore “Pjetër Muçaj” në Guskë. Shkolla Fillore “Ganimete Tërbeshi” në Ponoshec bashkë me paralelen në Morinë. Shkolla Fillore “Ardhmëria” në Ramoc. Shkolla Fillore “Mark Zef Perkaj” në Sheremet dhe Shkolla Fillore “Durak Ahmeti” në Demjan.
Skenderaj
Sipas fakteve nga Drejtoria e Arsimit në Skenderaj në vitin shkollor 1991/1992, të gjithë nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme u dëbuan me dhunë nga objektet shkollore. Njëjtë si në vendet e tjera të Kosovës, edhe qytetarët nga Skenderaj i lëshuan shtëpitë për të vijuar procesi mësimor. Bazuar në informacionet nga Komuna e Skenderajt gjatë luftës 1998-1999, në fshatrat e këtij qyteti janë shkatërruar e djegur 11 shkolla.
Bëhet fjalë për Shkollën Fillore “Kosova” në Vajnikë. Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Likoc. Shkollën Fillore “Liria” në Turiqec. Shkollën Fillore “Ganimete Terbeshi” në Marinë. Shkollën Fillore “Përparimi” në Llaushë. Shkollën Fillore “Rilindja” në Aqarevë. Shkollën Fillore “Zekerija Rexha” në Klinë të Epërme. Shkollën Fillore “Muharrem Bekteshi” në Rrezallë. Shkollën Fillore “Vëllezërit Frashëri” në Rakinicë. Shkollën Fillore “Azem Bejta” në Prekaz të Epërm dhe Shkollën Fillore në Prekaz të Poshtëm.
Helmimi i nxënësve shqiptarë nga dora e zezë e Beogradit
Në pranverën e vitit 1990 u helmuan mbi dhjetë mijë nxënës e mësimdhënës shqiptarë në trojet e veta me substanca kimike nga shërbimet ushtarako-policore serbe. Në mesin e të helmuarve kishte edhe fëmijë nga çerdhet dhe qytetarë. Të dhënat e kohës bëjnë me dije se ky helmim ishte kryer nga shërbimet sekrete serbe me rroba civile. Të tjera gjurmë faktojnë që helmimi është bërë qëllimshëm dhe me planifikim me hedhjen e bombolave të gazit që përmbanin substanca helmuese, një lëng vaji që përmbante erë etioli dhe thërrmija pluhuri që përmbanin substanca toksike.
Marsi i vitit 1990 u shndërrua në muaj trishtues për shqiptarët autoktonë në Kosovë. Para kësaj ndodhie, autoritetet beogradase morën vendim që fëmijët e komunitetit serb t’i ndanin nga fëmijët kosovar që përbënin mbi 90 përqind të popullsisë vendase shqiptare. Kështu, fëmijët e komunitetit serb mësonin në një ndërrim në shkolla të veçuara për ta, ndërsa fëmijët shqiptarë mësonin në ndërrimin tjetër në shkolla të tjera. Kjo ishte periudha e segregacionit. Pas këtij vendimi, ndodhi helmimi në shkollat shqiptare. Kjo ka ngjarë në intervalin kohor mes 15 dhe 31 marsit 1990.
Në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën, spitalet dhe fakulteti i mjekësisë u mbushën me fëmijë e nxënës që kërkonin shërim. Mjekët shqiptarë dhanë gjithçka për të shëruar fëmijët e helmuar ani pse të penguar tërë kohën nga policia serbe që bënte presion tek fëmijët, familjarët dhe stafi mjekësor. Policia serbe me mjete ushtarake kishte krijuar edhe post-blloqe, duke bllokuar edhe rrugët për transport që dërgonin në Prishtinë.
Disa prindër nën okupim arritën t’i kalojnë barrikadimet e policisë serbe dhe fëmijët t’i dërgonin për shërim në Kroaci, në Slloveni dhe në shtete të tjera evropiane. Disa nga simptomat që u shfaqën tek fëmijët, nxënësit, mësuesit dhe qytetarët e helmuar ishin: dhimbje koke, skuqje në fytyrë, vështirësi në frymëmarrje, ligështim, dhimbje stomaku, marramendje, skuqje të fytit, krurje në sy, hundë dhe fyt, ndjeshmëri në dritë e tharje të buzëve.
Sipas të dhënave nga institucionet e shëndetësisë në Kosovë, bazuar në listat e viteve ’90-ta, të helmuar ishin 7421 shqiptarë, mirëpo të dhënat e tjera japin shifrat për më shumë se dhjetë mijë nxënës e qytetarë të helmuar. Për shkak të rrëmujës dhe gjendjes së krijuar atë kohë, institucionet shëndetësore nuk kanë arritur t’i regjistrojnë të gjithë nxënësit e qytetarët në listimet qendrave mjekësore. Kjo për shkak të pengesave dhe kërcënimeve nga forcat policore serbe brenda e jashtë ambienteve mjekësore.
Duke iu referuar shkrimeve të doktorit kroat, Franjo Plavšić, në një shkollë të mesme në Podujevë, simptomat tek nxënësit janë shfaqur gjatë datës 15 mars 1990. Nxënësit dhe mësuesit e kanë ndje erën e rëndë të etiolit, një insekticid i bazuar në substanca organofosforike. Pas kërkimeve nga mësuesit, në dysheme është gjetur një lëng vaji i panjohur, i cili mbante erën e etiolit. Ndodhia ishte përsëritur edhe në ditët e tjera në klasat e të njëjtës shkollë dhe me simptoma të njëjta: Dhimbje fyti, ligështim e dhimbje gjoksi. Për pak ditë helmimi i kishte prekur të gjitha shkollat dhe çerdhet në Kosovë.
Ditët në vazhdim, autoritetet ilegale serbe planifikuan strategji për ta sulmuar sistemin shëndetësor në Kosovë. Kryetari i shoqatës së mjekëve të Serbisë, Vojin Šulović, më 30 mars 1990 në Prokuplje, kishte shkruar një raport duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, Alush Gashit. Ndër të tjera, në raport shkruhej: “Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë duke marrë parasysh të gjitha ngjarjet, nuk është në gjendje ta kryej funksionin e vet edukativ dhe arsimor. Për këtë arsye, propozojmë që menjëherë të fillohet riorganizimi dhe aftësimi i parashikuar me ligj”.
Pas këtij raporti, autoritetet nga Beogradi marrin masa dhe e mbyllin dhunshëm Fakultetin e Mjekësisë me forca të shumta policore dhe i largojnë profesorët, asistentët dhe studentët nga zyrat e klinikave të QKUK-ës (Qendrës Klinike Universitare të Kosovës). Përmes këtyre veprimeve aparati shtetëror serb synonte ta rrënonte sistemin e shëndetësisë në Kosovë. Ky ishte njëra nga ato elementet e shumta të gjenocidit që kishte përdorur Serbia në Kosovë.
Sipas të dhënave nga libri i gazetarit Nehat Islami “Një adresë në Bukuresht”, një ndër mjekët e parë që dha ndihmë ishte Agim Serhati. Për përpjekjet e tij, doktor Serhati ishte arrestuar, rrahur e torturuar në mënyrë çnjerëzore nga policia brutale serbe dhe ishte lëshuar për në shtëpi, ku edhe kishte ndërruar jetë nga plagët e torturave. Ky ishte një tjetër element gjenocidi që Serbia e kishte përdoru në Kosovë. Dëshmitë e kohës faktojnë se helmime kishte pasur edhe para vitit 1990. Nxënësit shqiptarë një herë ishin helmuar në vitin 1987 dhe dy herë të tjera në vitin 1989.
Sikurse me largimin e përjashtimin e personelit arsimor nga vendet e punës, e njëjta ndodhi edhe me personelin mjekësor në vazhdën e aparteidit serb. Mjekët e Kosovës ishin kërcënuar se do të përjashtoheshin nga vendet e punës nëse ofronin shërim për nxënësit e qytetarët e helmuar. Sipas gazetarit Tim Judah, atë kohë janë përjashtuar 1855 mjekë shqiptarë nga regjimi serb.
“Heshtja e mëtejshme do të thotë bashkëfajësi”, na kujton mes rreshtash Leo Freundlich në veprën e tij “Golgata e Shqipërisë”, ku rrëfehen krimet ushtrive të egra serbe kundër shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri përgjatë historisë së kombit shqiptar.
Mediat dhe gazetarët serbë që vepronin në Kosovë kanë zgjedhur heshtjen dhe aty-këtu kanë publikuar raporte e të dhëna të rrejshme për opinionin ndërkombëtar, duke u bërë bashkëpjesëmarrës në krimin e autoriteteve serbe. Madje, serbët helmimin e quanin inskenim dhe fëmijët pesë-vjeçar aktorë të Kanës. Policia serbe që ishte pjesëmarrëse në hedhjen e helmit, kishte penguar autoritetet shqiptare të grumbullonin të dhëna, fakte e mostra në zonat e helmuara. Përtej reagimit të ashpër nga autoritetet serbe, autoritetet shqiptare kanë arritur të mbledhin mostra dhe t’i dërgojnë në laboratorët e shteteve evropiane për analiza dhe vërtetësi, derisa disa prej mostrave janë marrë nga policia serbe në pikat kufitare.
Më 9 qershor të vitit 1990 në Zagreb të Kroacisë është mbajtur simpoziumi “Kosova, sfidë e ndërgjegjes”. Ky simpozium ishte organizuar pas angazhimit të figurave të shquara shqiptare që vepronin në Kroaci në krye me doktor Besnik Bardhin. Aty kishte edhe personalitete nga veprimtaria kroate që punonin për të drejtat dhe liritë e njeriut, figura të larta nga Kosova e Sllovenia. Aty merrte pjesë edhe ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Sipas të dhënave nga libri i Besnik Bardhit “Agoni dhe Shpresa”, simpoziumi i mbajtur në Zagreb, kishte rëndësie të madhe për shqiptarët e Kosovën. Në simpozium, serbët u përfaqësuan nga Ljubomir Erić, i cili e kishte përgatitur një punim pa fakte dhe pa argumente. Erić kishte thënë se induksionit psikik i nënshtrohen vetëm personat mbi 11-vjeç. Kur Anton Dolenc, doktor i Fakultetit të Mjekësisë në Ljublanë, e kishte pyetur Erićin se çfarë mendon për vogëlushët e helmuar në çerdhe që ishin nën 11-vjeç në Gjakovë, Erić e kishte ulur kokën dhe nuk ishte përgjigjur.
Në simpozium merrte pjesë edhe Franjo Plavšić, toksikolog, shkencëtar dhe biokimist kroat. Plavšić në analizat e bëra kishte gjetur substancën kimike “Dimetil Phosphditionat” (DMPP) në shtatë mostrat e nxënësve të helmuar. Sipas analizave të vërtetuara në laborator nga Plavšić, përfundimisht u vërtetua se në Kosovë kishte helmime masive. Ish kryetari i Kroacisë, Stjepan Mesić, raportin për nxënësit e helmuar në Kosovë vite më vonë e kishte prezantuar gjatë një vizite në SHBA – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet ndër të tjera në librin e Bardhit.
Edhe 32 vite nga ajo kohë, Serbia nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka marrë përgjegjësi për mizoritë e saj. I mbetet Republikës së Kosovës që ta padis Serbinë në institucionet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare. Dhe iu mbetet institucioneve ndërkombëtare që të sjellin drejtësi që akte të tilla të mos përsëriten më kurrë në asnjë vend dhe kundër asnjë populli.
Kujtojmë që në mediumin “Fol Drejt” është publikuar edhe hulumtimi për bibliotekat dhe librat e shkatërruara dhe të djegura në Kosovë nga lufta gjenocidale e Serbisë. Gjithashtu është publikuar edhe hulumtimi për dëmet, shkatërrimet dhe librat e zhdukur nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”.
Sipas të gjitha të dhënave nga institucionet e Republikës së Kosovës, janë mbyllur, shkatërruar e djegur rreth 600 biblioteka të të gjitha llojeve në Kosovë. Kjo është bërë nga 1 tetori i vitit 1990 deri në qershor të vitit 1999.
Sipas raportit nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, dokumentohet se në vitet 1998-1999, nga ushtria kriminale serbe janë djegur 175 biblioteka. Prej tyre: 65 biblioteka publike në qytete e fshatra, 96 biblioteka të shkollave fillore e të mesme dhe 14 biblioteka speciale. Ndërsa sa i përket fondit librar, bazuar në të dhënat e faktuara nga Biblioteka Kombëtare, janë djegur edhe 1 milion e 665 mijë e 496 libra në Kosovë nga forcat ushtarako-policore serbe.
Rimëkëmbja e Republikës së Kosovës në Liri
Aktualisht, sipas të dhënave të ASK-së rreth arsimit për vitin 2021 dhe 2022, veprojnë 1047 çerdhe e institucione shkollore në Republikën e Kosovës. Në anën tjetër, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në bibliotekat e Kosovës është një fond prej 1 milion e 757 mijë e 863 libra. Ndërsa, në tempullin e dijes në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” gjenden 2 milionë e 100 mijë njësi mediatike dhe më shumë se 500 mijë tituj librash./FolDrejt/