Të paktën 150 njerëz janë vrarë gjatë dy ditëve të fundit në një konflikt fisnor në Sudanin juglindor, raportojnë mediat lokale.
Dhjetëra të tjerë janë plagosur në përleshjet që ndodhën mes fiseve të mërkurën dhe të enjten në shtetin Nili Blu, ku dhuna u ndez sërish në korrik, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“OKB-ja është e alarmuar nga përshkallëzimi i dhunës në Lagawa dhe rishfaqja e konfliktit në rajonin e Nilit Blu”, tha në Twitter Misioni i Ndihmës së Tranzicionit të Integruar të OKB-së në Sudan (UNITAMS).
“Paqja e qëndrueshme nuk do të jetë e mundur pa një qeveri të besueshme plotësisht funksionale që i jep përparësi nevojave të komuniteteve lokale, duke përfshirë sigurinë, dhe adreson shkaqet rrënjësore të konfliktit”, tha UNITAMS.
Përplasjet janë të fundit në një valë dhune fisnore që ka përfshirë gjithë vendin, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje mbarëkombëtare dy vjet më parë.
Sudani ka qenë pa qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, një hap i cilësuar nga forcat politike si “grusht shteti ushtarak”./FolDrejt/