Vendimi i Qeverisë së Kosovës në vitin 2017 për rritjen e pagave të zyrtarëve të saj, përfshirë edhe të vetë kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili pagën e tij e rriti qind për qind, ka bërë që në vend të mos mungojnë protestat dhe grevat e sindikatave në sektorin publik.
Edhe viti 2019 në Kosovë nisi me një sërë grevash që po mbahen dhe të tjera të cilat janë paralajmëruar të ndodhin ditëve në vijim.
Grevat aktuale janë duke u mbajtur nga punëtorët shëndetësor, minatorët e Trepçës, ndërkaq pezullimin e punës e kanë paralajmëruar edhe mësimdhënësit.
Disa nga kërkesat kryesore të punëtorëve kosovarë janë ndryshimi dhe miratimi i Projektligjit për Pagat, ku përfshihet edhe rritja e pagave si dhe kushtet më të mira për punë.
Këto zhvillime sipas sociologëve mund të paraqesin rrezik për krizë sociale, ndërsa i kanë vlerësuar si të arsyeshme kërkesat e punëtorëve, për shkak të standardit të jetesës.
Gjendje më alarmante si pasojë e grevës së fundi është krijuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, respektivisht në Kolegjiumin e Klinikës së Kirurgjisë ku mantelbardhët po vijojnë pezullimin e punës.
Klinika e Kirurgjisë, ka hyrë në javën e tretë të grevës dhe si rrjedhojë janë duke u anuluar rreth 200 operacione në ditë nga sa ka qenë mesatarja e operacioneve të kryera në këtë klinikë.
Greva në shëndetësi ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor dhe kishte zgjatur 72 orë, për t’u deklaruar më pas e përfunduar, megjithëse e njëjta thirrje nuk po vlen për mjekët kirurgë.
Kolegjiumi i Kirurgëve po kërkon nga Qeveria e Kosovës, që koeficienti i pagës së tyre të rritet nga 5 sa e kanë aktualisht në 10, duke nënkuptuar që të kenë pagesë mujore deri në 4 mijë euro.
Të pakënaqur me pagat janë shprehur edhe minatorët e kombinatit “Trepça”, të cilët kanë hyrë në javën e parë të grevës.
Minatorët po kërkojnë nga qeveria rritje të pagave për 20 për qind, shkarkimin e bordit të këtij kombinati, mos punësimin pa konkurs si dhe kushte më të mira për punë.
Këtë fillim vit, bojkoteve në punë nuk kanë mbetur pa iu bashkuar as avokatët, si pasojë e vendimit të të cilëve, janë shtyrë dhjetëra seanca gjyqësore nëpër gjykatat e Kosovës.
Avokatët e Kosovës që nga e mërkura e kësaj jave hynë në grevë të përgjithshme, e cila sipas Odës së Avokatëve vlente për të për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe policinë në tërë territorin e Kosovës, edhe pse të njëjtit nuk kanë kërkesa për paga.
Greva sipas paralajmërimit, do të vazhdojë deri në tërheqjen e urdhëresës dhe rekomandimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).
Sipas urdhëresës së KGJK-së, avokatëve dhe palëve tjera u kufizohet qasja në objektet e gjykatës pa leje paraprake.
Bojkot të procesit mësimor sapo të nis viti i ri shkollor me 14 janar, ka shpallur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Kjo sindikatë ka bërë të ditur se greva do të mbahet në shenjë proteste për koeficientin e pagave për punonjësit e arsimit në ligjin e pagave, pasi që sipas tyre, ky ligj është mjaft diskriminues për të punësuarit në arsim.
Gjatë vitit 2018 përveç këtyre sindikatëve, pakënaqësi për paga e për kushte të punës në vazhdimësi kanë shprehur edhe zjarrfikësit, punëtorët e Postës së Kosovës dhe kategoria e punëtorëve të administratës së gjykatave e prokurorive.
Qeveria e Kosovës zotohet për adresim të kërkesave të sindikalistëve
Ekzekutivi kosovar po zotohet se është duke i ndërmarr të gjitha masat e nevojshme që t’i adresojë kërkesat e grevistëve.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kryeministri Ramush Haradinaj në vazhdimësi është takuar me të gjithë përfaqësuesit e sindikatave në vend që kanë kërkuar takim me të parin e qeverisë.
“Në të njëjtën frymë edhe gjatë përgatitjes së Projekligjit për Pagat janë takuar të gjithë mekanizmat dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe sindikatave, për të marrë mendimet dhe sugjerimet e secilit grup të interesit”, thotë ajo.
Sipas Gashit, shumë nga këto çështje tashmë janë adresuar në projektligjin për pagat, derisa të tjerat kanë mbetur të adresohen në Komisionet Parlamentare.
Ndërkaq, për sa i përket minatorëve, zëdhënësja e qeverisë shton se kjo është një çështje që ka të bëjë me statutin e tyre.
“Kësisoj edhe këto kërkesa është munduar të adresohen. Kryeministri në vazhdimësi ka kërkuar që statuti të miratohet në mënyrë që të sigurohet funksionimi i plotë i Trepçës”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së qeverisë për Gazetën JnK.
Ish-ministri i Punës, Arban Abrashi: Kosova drejt kolapsit financiar
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies sociale i Kosovës, Arban Abrashi konsideron që kërkesat e grevistëve sikurse edhe paralajmërimet për greva në sektorë tjerë, janë kërkesa të drejta dhe të bazuara.
“Sektorë të ndryshëm të aparatit publik si dhe sektori privat, gjatë vitit të kaluar janë ballafaquar me vendime të padrejta, vendime të pamatura, e të papërgjegjshme, që krijojnë hendek mes shoqërisë, prandaj edhe grevat janë të pashmangshme, të cilat si rezultat kanë efekt zingjiror”, tha Abrashi për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ish-ministri, i cili tash është deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se Qeveria Haradinaj nuk ka bërë analizë të duhur kur i ka rritur pagat e veta.
“Rritja [e pagave] është dashur të bëhet për gjithë sektorët, duke përfshi edhe trajtimin e sektorit privat; ky veprim është vendosur pa analizuar mirë, derisa ka krijuar hendek mes sektorëve, derisa sektorët tjerë janë mashtruar ose lënë në pritje të ligjit e proceseve tjera, të cilat nuk kanë afate të qarta kohore”, theksoi ai.
Abrashi shton se gjendja aktuale sociale po e drejton Kosovën drejt kolapsit financiar.
“Shpenzimi i parasë publike që lidhet drejtpërdrejt me keqmenaxhimin/keqpërdorimin e buxhetit jo vetëm që do të shtyjë punëtorët në grevë, por po e drejton Kosovën drejt kolapsit financiar, e posaçërisht që ka pas marrëveshje bashkëpunimi, që janë nënshkruar gjatë procesit parazgjedhor”, shtoi ai për Gazetën JnK.
Ish-ministri i Punës, ndër të tjerash vlerëson se Kosova është në krizë sociale.
“Ne tanimë jemi duke përjetuar krizën sociale; greva e sektorit të shëndetësisë, greva e paralajmëruar e sistemit arsimor, greva e minatorëve e shumë tjera të paralajmëruara, tregojnë që ne tani jemi në një krizë, të cilën qeveria nuk e pranon”, përfundoi Abrashi.
Kritikohet Projektligji për Pagat
Në anën tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci e cila njëherësh është anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se projektligji për pagat disfavorizon kategori të caktuara të punëtorëve, ndërsa shton se greva e mësimdhënësve nuk është rruga e duhur.
“Projektligji për pagat është shumë i padrejtë dhe disfavorizon kategroitë e caktuara dhe në mesin e tyre edhe qytetarët. Ky ligj ka kohë që nuk po arrin të përfundojë punën në komisionin funksional në mënyrë që të shqyrtoheshin të gjitha kërkesat. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh sfidat më të cilat po ballafaqohen nxënësit dhe mësimdhënësit, greva nuk është rruga e duhur dhe shpresoj që para datës 14 të arrihet një zgjidhje në mënyrë që të mos pengohet procesi mësimor”, theksoi deputetja për Gazetën JnK.
Nagavci ka kritikuar vendimet e qeverisë, që nga rritja e pagave të zyrtarëve të saj, e deri te numri i lartë i këshilltarëve e që sipas saj këto po ndikojnë që kategritë e tjera shoqërore të ndihen të disfavorizuar.
“Qeveria me vendimet e veta të gabueshme, që prej vendimit për rritjen e pagave të veta, deri te vendimi i fundit për shtimin e numrit të këshilltarëve dhe shpikjen e pozitave të ndryshme, ka bërë që edhe kategroitë e ndryshme, përfshirë edhe ato si zjarrfikësit, mjekët e kështu me radhë po ndihen të disfavorizuar”, tha ajo, duke shtuar se për situatën e krijuar aktualsiht në Kosovë, përgjegjësia kryesore është e qeverisë.
Jetesa e shtrenjtë nxitë kërkesat për rritje të pagave
Kërkesat e grevistëve në Kosovë për rritje të pagave, nga ana e sociologëve po vlerësohen të jenë të arsyeshme për shkak të rritjes së shpenzimeve dhe shtrenjtimit të kostos së jetës.
Sociologu Artan Muhaxhiri, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se injorimi i domosdoshmërisë së rritjes së vazhdueshme dhe të përgjithshme të pagave në Kosovë shënjon një tragjizëm në shtetin dhe shoqërinë tonë.
“Neglizhimi sistematik i këtij segmenti me peshë ekzistenciale nënkupton stagnim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve në përputhje me kërkesat e jetës bashkëkohore. Kërkesat për rritje të pagave janë të bazuara në shtimin konsekuent të shpenzimeve, prandaj janë absolutisht të arsyeshme”, thekson ai.
Sipas Muhaxhirit, rritja e pagave të zyrtarëve qeveritar, ka dëshmuar mungesë të moralit publik dhe mosrespekt ndaj shtresave qytetare që kanë nevoja më prioritare bazike në krahasim me qeveritarët.
“Me asnjë fakt konkret Qeveria nuk e ka vërtetuar se rritja e rrogave ka rezultuar me rritje të kualitetit dhe vëllimit të punës e të angazhimeve të saj. Nuk ka pasur plan për rritje të rrogave në sektorët tjerë institucionalë, gjë që flet edhe më negativisht për këtë akt”, potencoi Muhaxhiri për Gazetën JnK.
Edhe për sociologun Genc Xërxa, favorizimi material i një grupi të caktuar qeveritar ndikon në revoltë dhe pakënaqësi të punëtorëve në sektorët e tjerë, të cilët kërkojnë rritje të të hyrave financiare.
“Politikat jo-stimuluese ekonomike dhe një mendësi që të mirat materiale ti takojnë vetëm një grupi të ngushtë qeveritar duke mos marr për bazë mirëqenien e tjerëve dhe të mirat që duhen të shpërndahen në mënyrë të barabartë, krijojnë revoltë dhe pakënaqësi të arsyeshme ndaj profileve të ndryshme punuese të kategorive sociale në vendin tonë”, thotë ai për Gazetën JnK.
Sipas Xërxës, kostoja e jetës e shtrenjtuar edhe më shumë javëve të fundit vetëm sa e bënë më të vështirë jetesën dhe përditshmërinë e qytetarit në krahasim me të ardhurat që merr, “duke mos llogaritur papunësinë dhe mundësinë e cenuar nga institucionet nepotike për një gjë të tillë”.
Sociologu vlerëson se rritja e pagave të qeveritarëve është bërë për ta ruajtur pushtetin.
“Qeveria në vend që të krijojë qetësi sociale dhe mirëqenie të ngritur tek qytetarët e vet, duket se po ndjek politika të ‘qetësisë qeveritare’ mes akterëve në fjalë duke kështu tentuar të ruaj pushtetin dhe oligarkinë mes një numri të caktuar zyrtarësh për të shtyrë qeverisjen edhe më tej për tu shmang nga zgjedhjet eventuale mes partnerëve në pushtet”, thekson ai.
Xërxa thotë se vendimi i qeverisë është paradoksal.
“Nuk është bërë aspak një studim i mirëfilltë ekonomik apo i GDP-së që mund të shkoj në proporcion me rritjen ekonomike kjo rritje e rrogave, kur dihet tani se një rroge e një këshilltari qeveritar tejkalon tani për 5 apo 6 herë rrogën mesatare në vend. Ky është një paradoks i llojit të veçantë”, shtoi ai.
Çfarë mund të pasojë pas grevave të punëtorëve?
Lidhur me gjendjen e krijuar në vend, sociologu Genc Xërxa shprehet se, Kosova nga pakënaqësia dhe revolta e shumë institucioneve shërbyese mund të hyj edhe në kriza më të thella sociale duke e prishur edhe rendin e qetësisë në vend, me këto paralajmërime të shumta të grevave sikurse në shëndetësi, arsim, minatorët, zjarrfikësit e të tjera.
“Shpesh qeveria ka ditur të fshihet nga këto dështime pas ‘detyrimeve ndërkombëtare apo negociatave me Serbinë’ të hutojë opinionin, sa do arrijë ende të bëjë këtë duke e neutralizuar pakënaqësinë me këtë mbetet të shihet në ditët në vijim”, vlerëson ai për Gazetën JnK.
Ndërkaq, sipas Artan Muhaxhirit, gjasat për realizimin e kërkesave rriten maksimalisht nëse shteti ballafaqohet me këmbëngulje të punëtorëve dhe homogjenitet qëndrestar.
“Ndër problemet më të mëdha me grevat e punëtorëve kosovarë është mungesa e konsistencës dhe solidarizimit brenda vetë strukturave përfaqësuese të punëtorëve. Gati gjithmonë ndodh që intensiteti dhe serioziteti i grevave të zbehet shpejt”, thekson sociologu për Gazetën JnK.
Muhaxhiri konsideron që nga përvojat e kaluara mund të supozohet fatkeqësisht, që edhe këto greva do të mund të dëmtohen nga mungesa e strategjive efikase të të protestuarit.