Guvernatori Synegubov deklaroi se në 24 orët e fundit 21 civilë ukrainas kanë humbur jetën dhe 112 të tjerë janë plagosur në sulmet e Rusisë.
Në sulmet me raketa që ushtria e Rusisë ka kryer në qytetin Kharkiv të Ukrainës, njoftohet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 21 civilë dhe se 112 të tjerë janë plagosur, shkruan AA.
Guvernatori i rajonit Kharkiv, Oleg Synegubov, në një deklaratë nga llogaria e tij Telegram ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit qyteti është përballur me zjarr intensiv raketor dhe artilerik të ushtrisë ruse dhe se njësitë e mekanizuara ruse janë përpjekur të sulmojnë nga pjesët verilindore dhe veriore të qytetit.
Të gjitha sulmet janë zmbrapsur informoi Synegubov, duke bërë të ditur se kanë konfiskuar mbi 40 automjete të ushtrisë ruse, transmeton Fol Drejt.
Synegubov theksoi se avionët rus Su-25 kanë bombarduar aeroportin në zonën Chuhuiv dhe shkollën e tankistëve në rrugën Poltava dhe se ushtarët e Ukrainës kanë rrëzuar një avion të ushtrisë ruse.
Guvernatori Synegubov deklaroi se në 24 orët e fundit 21 civilë ukrainas kanë humbur jetën dhe 112 të tjerë janë plagosur në sulmet e Rusisë.
U goditën qendra e policisë dhe universiteti
Ushtria ruse e cila ka vazhduar sulmet e saj edhe këtë mëngjes, ka goditur me raketa ndërtesën e zyrës së policisë në Kharkiv dhe një kampus të Universitetit Karazin.
Ndërtesa e cila ndodhet në bulevardin kryesor, u kthye në një rrënojë pas sulmit me raketa. Ekipet e zjarrfikëses janë në përpjekje për të shuar zjarrin, ndërsa edhe ekipet e kërkimit po tregojnë përpjekje intensive për të nxjerrë personat e mbetur në rrënoja.
Ushtria ruse po përpiqet të përparojë drejt Kievit
Edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, nga faqja e tij zyrtare ka bërë një deklaratë lidhur me ditën e 7-të të sulmit të Rusisë. Në deklaratë bëhet e ditur se forcat ruse po përpiqen të përparojnë nga veriu dhe veriperëndimi drejt kryeqytetit Kiev.
Përpjekjet e forcave ruse për të marrë nën kontroll qytetet Sumi, Lebedyn dhe Okhtyrka kanë dështuar, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se në rajonin Donetsk forcat ruse përpiqen të rrethojnë qytetin Mariupol.
Po ashtu raportohet se rusët kanë vendosur një grup të marinës në Rajonin Operativ të Detit të Zi dhe po vazhdojnë përgatitjet për zbarkim në tokë.
Forcat ruse kanë dështuar të përparojnë, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se janë bombarduar infrastrukturat kritike të ushtrisë së Ukrainës./FolDrejt/