Gjatë orëve të fundit në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.
Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ngase njëri pacient është plagosur nga një plumb qorr, ndërkaq tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve. Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftalmologjisë. Ndërkaq, të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.
Kështu bën të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, derisa potencon se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç. Syla shtoi se gjatë 18 orëve të fundit në Shërbimin Emergjent janë pranuar rreth 217 pacientë.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla theksoi se sot kanë qenë të mbingarkuar për shkak të referimit të pacientëve, siç e quan ai të pakontrolluar nga spitalet rajonale dhe ambulancat e mjekësisë familjare.
Ndryshe, Policia e Kosovës për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë festës së ndërrimit të mot-motit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” ku është paraparë shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.
Policia e Kosovës apelon te çdo prind që të jenë më të kujdesshëm në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut, ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre në të kaluarën janë evidentuar incidente me pasoja të rënda, në të kundërtën policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.